“Arrëthyesi” sjell magjinë e festës në TKOB

nga D. V.

Atmosfera e Krishtlindjes mbërriti më shpejt në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.

Pema, dhuratat, fëmijët e gëzuar, mbreti e mbretëresha e dëborës por edhe një ushtri minjsh që kërcënojnë gëzimin e festës, erdhën si çdo fundviti përmes “Arrëthyesit” të Çajkovskit duke argëtuar publikun në sallë.

Shfaqja e djeshme u vendos në kalendar pak ditë më parë, duke parë kërkesat e shumta për “Arrëthyesin”. Dhe përseri biletat u shitën në kohë rekord.

E porositur nga Teatri Perandorak i Rusisë si një balet i Krishtlindjes, “Arrëthyesi” u krijua nën presion të madh dhe në një periudhë të errët personale për kompozitorin. Krijimin e baletit e shoqëroi një stuhi emocionale që përfundoi me një kryevepër për brezat që pasuan.

Historia merr jetë në Gjermani në prag të Krishtlindjeve. Në shtëpinë e Stahlbaum, fëmijët Klara dhe Fric marrin dhurata të sjella nga xhaxhai i tyre Drosselmeyer, përfshirë një Arrëthyes madhështor. Pasi Fric e thyen lodrën, xhaxhai i tij e riparon atë dhe ia beson Klarës.

Kur Klara bie në gjumë, ajo ëndërron një aventurë fantastike: dhoma merr jetë, minjtë përpiqen të vjedhin Arrëthyesin, por ai transformohet në një luftëtar trim dhe, me Klarën, mposht Mbretin e Minjve. Arrëthyesi më pas transformohet në një princ të pashëm dhe e çon Klarën në Mbretërinë magjike të Ëmbëlsirave, ku Zana e Sheqerit organizon një festë në nder të tyre me valle të mrekullueshme.

Në fund, Klara zgjohet e përqafuar nga Arrëthyesi i saj, duke mbajtur me vete kujtimin e një nate magjike dhe të paharrueshme.

Ky “Arrëthyes”, për TKOB, ishte një rivënie në skenë, i përshtatshëm për familje dhe fëmijë. Interpretuan solistët dhe trupa e baletit, Kori i TKOB, Kori i Zërave të Bardhë si dhe Orkestra Simfonike e TKOB. Koreografia dhe koncepti ishin të Edi Blloshmit dhe kostumografia nga Edlira Qyshka.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More