Prishtinë, 31 tetor Zhurnal.mk – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 5,560 kilogramë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të Aflatoksinës B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, masa është ndërmarrë ndaj tri bizneseve në Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Shtime.
Sasia e asgjësuar përfshin 3,270 kilogramë në kompaninë “Agro Com” në Fushë Kosovë, 1,040 kilogramë në “Thermo-1” në Prugoc të Prishtinës dhe 1,250 kilogramë në NTP “Te Hysi” në Shtime.
Asgjësimi është kryer më 29 tetor, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së. Institucioni ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin e këtij misri.
Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e kancerit. Nëse ushqimi i kontaminuar përdoret për kafshë, toksina mund të kalojë edhe në qumësht.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve dhe tregtarëve që të sigurojnë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të mos përdorin ushqim për kafshë që tejkalon kufijtë e lejuar të aflatoksinës.
