Prishtinë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar organizimin e një konvente të madhe partiake, përmes së cilës, sipas tij, do të arrihej pajtimi dhe do të qartësohej rruga e LDK-së drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Hoti ka thënë se LDK-ja ka nevojë urgjente për një “Konventë të madhe” ku do të përfshiheshin të gjitha strukturat dhe potenciali i partisë.
Sipas tij, në këtë konventë duhet të marrin pjesë anëtarët e Kuvendit Qendror të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm, Grupi Parlamentar, kryetarët dhe kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor.
“Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se kjo konventë duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar rikthimin e besimit të brendshëm si një parakusht për unitet dhe punë ekipore.
“Mbi të gjitha, Konventa duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka bërë të ditur se angazhohet për një “Konventë të Pajtimit të madh”, duke vlerësuar se vetëm një LDK e bashkuar mund të rikthejë besimin e qytetarëve.
Në fund, ai e ka përmbledhur mesazhin e tij me katër fjalë: “Pajtim – Bashkim – Besim – Fitore.”
Postimi i plotë:
LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara.
Në këtë KONVENTË duhet të mblidhen të gjitha strukturat dhe i gjithë potenciali i LDK-së: anëtarët e Kuvendit Qendror të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Grupi Parlamentar, Kryetarët e Degëve, Kryesitë e Degëve, Anëtarët e LDK-së në Kuvendet Komunale, Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor.
KONVENTA duhet të jetë një BASHKIM i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Mbi të gjitha, KONVENTA duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore.
Unë angazhohem për këtë KONVENTË të PAJTIMIT të madh. Vetëm një LDK e bashkuar mund të fitojë besimin e qytetarëve.
PAJTIM – BASHKIM – BESIM – FITORE.
