BDI kërkon ndryshim të rregullores për çmimet për shkak të çmimeve në rritje të naftës

Nga D. V.
430 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 Mars, Zhurnal.mk – Partia opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot ka kërkuar nga autoritetet ndryshime në mënyrë se si përcaktohen çmimet në sektorin e energjetikës, tash në kohën e rritjes së çmimeve të naftës në tregun botëror e që po shkakton telashe çmimesh edhe në Maqedoni të Veriut.

BDI e ftoi qeverinë për “ndryshim të menjëhershëm të rregullores për përcaktimin e çmimeve”, si dhe “vendosjen e përllogaritjes së çmimeve të paktën dy herë në javë,” për t’iu dalur ndihmë qytetarëve në këtë kohë krize çmimesh.

Kjo parti opozitare tha se Komisioni Rregullator për Energjetikë (KrrE) aktualisht po vazhdon të zbatojë një “model të vjetruar, të bazuar në mesataren e javës së kaluar, në vend që të reagojë në kohë reale.”
“Kjo praktikë shkon drejtpërdrejt në favor të interesave të caktuara biznesore, në dëm të qytetarëve,” akuzoi BDI-ja.

Sipas të dhënave të publikuara nga BDI konsumi javor i naftës është rreth 12 milionë litra; diferenca në çmim është rreth 9 denarë për litër dhe kostoja shtesë totale arrin mbi 1.5 milion euro vetëm për një javë.

“Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset e vogla paguajnë miliona më shumë, ndërkohë që dikush përfiton nga një sistem që nuk funksionon si duhet,” tha BDI në komunikatë për shtyp duke shtruar pyetjen në fund: “Në interes të kujt punon Qeveria – të qytetarëve apo të disa kompanive të privilegjuara?”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër