BE-ja i ka refuzuar të gjitha propozimet e transportuesve nga Ballkani Perëndimor, të mundshme bllokada të reja

nga Xh M

Bruksel, 15 shkurt – Komisioni Evropian i ka refuzuar propozimet e transportuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me të cilat kërkohej kompromis për kufizimin e qëndrimit në vendet e Shengenit, njoftoi mediumi malazez “Vijesti” dhe paralajmëroi për rrezikun e protestave dhe bllokadave të reja në pikat kufitare.

Përfaqësues të Komisionit, sipas mediumit, kanë thënë se propozimet janë të pamundura dhe nuk janë në përputhje me rregullat e Shengenit. Ata kanë ofruar mundësinë që transportuesit të marrin vizë nga një shtet anëtar vetëm për qëndrim më të gjatë se 90 ditë në atë shtet.

Propozimi i transportuesve ishte që shoferët profesionistë të marrin viza të ndryshme ose një dokument të ngjashëm që do t’u mundësonte të qëndrojnë më gjatë dhe të punojnë në BE pa e ndryshuar vendbanimin e tyre, ose që koha e tyre e punës sipas urdhrave të udhëtimit që paraqesin gjatë tranzitit nëpër BE të mos llogaritet në kohën e qëndrimit të tyre.

Shoqata e transportuesve maqedonas “Makam trans” ka dërguar letër te ministri i Punëve të Jashtme Mucunski, te Këshilli i Investitorëve të Huaj, te odat e huaja në vend dhe te ambasadat e shteteve të Shengenit, në të cilën kërkojnë që ata të lobojnë për tejkalimin e problemit dhe të gjendet mënyrë që nga Komisioni Evropian të shpjegohet se çfarë janë ato viza të përkohshme që propozohen, me qëllim që të kalohet më lehtë periudha kalimtare, derisa problemi të zgjidhet përfundimisht.

Përveç kësaj, janë dërguar edhe letra nga vetë transportuesit te klientët e tyre, nga të cilët po ashtu kërkojnë mbështetje.

Një transportues maqedonas, pas bllokadave, përsëri është përballur me problem në Gjermani. Nuk e kanë deportuar, por i kanë urdhëruar që me vullnetin e tij ta lëshojë shtetin. Nëse kjo nuk rregullohet, paralajmërojnë se përsëri askush nuk do të vozisë, ndërsa tashmë është evidente se në tregun maqedonas ka mungesë të disa produkteve.

Para një kohe, transportuesit maqedonas i bllokuan pikat kufitare sepse, për të punuar në vendet e zonës Shengen gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh, u lejohet të qëndrojnë vetëm 90 ditë.

Ministri i Transportit, ndërkohë, më herët në Facebook kishte publikuar se problemi është zgjidhur.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More