Berisha: 12 marsi, kryengritja e radhës e opozitës

Nga Xh M
307 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij sot në mbledhjen e grupit parlamentar, njoftoi protestën e radhës së opozitës. Berisha bëri të ditur se më 12 mars do të jetë “kryengritja e radhës”, teksa ftoi qytetarët që të marrin pjesë.

“Ftoj qytetarët shqiptarë në të katër anët e Shqipërisë të bashkohemi kundër kreut të kësaj organizate kriminale për t’i dhënë përgjigjen e merituar për vjedhjet e tij dhe për tradhtinë e lartë kombëtare që i bën idealeve evropiane të popullit shqiptar. Ëndrrës evropiane të shqiptarëve për të zënë vendin e tyre të merituar në BE”, tha Berisha.

Në fjalën e tij para deputetëve, Berisha tha se kryeministri Edi Rama ka vendosur që të shkelë çdo ligj për të mbrojtur veten e tij dhe se po devijon edhe orientimin e shqiptarëve drejt Evropës

“Shqipëria, më shumë se çdo vend tjetër, duhet ta pranojmë, e ka pasur dhe e ka jetik procesin e integrimit. Kemi pasur një të shkuar tmerrësisht të dhimbshme. Nëse ka pasur një pjesë territori të Evropës të shkëputur nga Evropa për shekuj, ka qenë Shqipëria. Nuk mund ta mohojmë këtë ne, çfarë do të thotë se është interes jetik për vendin të mbyllë procesin e integrimit. Ta mbyllë mbi bazë meritash, merita të zbatimit të ligjeve, Kushtetutës dhe standardeve dhe kritereve evropiane për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, kjo dëshmon se jemi në një kohë kritike për vendin, teksa shtoi se qytetarët janë të vendosur që “t’i dalin zot vetes dhe të marrin fatet e tyre në dorë”.

“Ftoj çdo qytetar të përmbushë detyrimin e tij ndaj vetes, ndaj dinjitetit të tij, personalitetit të tij”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër