Tiranë, 21 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se PD-ja mbështet plotësisht protestën e studentëve dhe gjimnazistëve.
Ai bëri të ditur se PD po vijon përpjekjet për sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për protestën.
Në mbledhjen e kryesisë së PD, Berisha tha se Partia Demokratike është e angazhuar në mbështetjen e protestës, si përmes thirrjeve publike, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të anëtarëve të saj.
“Partia Demokratike është e përcaktuar në mënyrën më të vendosur: mbështetje të plotë protestës studentore dhe të gjimnazeve. Mbështetje të plotë dhe totale, qoftë me thirrjet e saj, qoftë me pjesëmarrjen direkte të çdo anëtari dhe anëtare të Partisë Demokratike”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se një tjetër angazhim i PD-së është mbrojtja ligjore e studentëve dhe protestuesve, duke akuzuar policinë për dhunë ndaj tyre.
“Partia Demokratike ka bërë dhe bën gjithçka që të mbrojë studentët nga agresioni barbar ndaj tyre”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së përshëndeti deputetët, avokatët dhe drejtuesit e kësaj partie që kanë qëndruar pranë protestuesve, si dhe ata që kanë ndjekur rastet e të ndaluarve në komisariate, gjykata dhe paraburgime.
“Garantoj studentët, protestuesit, se 24 orë mbi 24 orë do të kenë shërbim ligjor gratis kudo që ndodhen”, u shpreh Berisha, duke shtuar se PD-ja ka marrë dhe do të marrë masa të tjera për ta bërë më efikase mbështetjen.
Berisha bëri të ditur gjithashtu se deputetët e PD-së dhe strukturat e partisë po zhvillojnë një punë intensive për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për protestën studentore.
Ai shprehu mirënjohje për përfaqësuesit ndërkombëtarë që kanë shprehur shqetësim për dhunën ndaj protestuesve, duke theksuar se përpjekjet e PD-së për të informuar partnerët ndërkombëtarë mbi zhvillimet në Shqipëri po vijojnë.
Berisha gjithashtu deklaroi se kjo e shtunë do të jetë protestë kombëtare, e thirrur nga studentët dhe e mbështetur nga PD-ja, ndërsa u bëri thirrje strukturave të partisë të angazhohen për pjesëmarrje masive.
Berisha kërkoi nga anëtarët e saj të bashkërendojnë punën me drejtuesit e degëve dhe koordinatorët, duke theksuar nevojën për rezultate konkrete në organizimin e protestës.
“Solidarizimi me grevën e studentëve nga çdo gjimnaz dhe shkollë në Shqipëri është e domosdoshme. Pjesëmarrja sa më masive në protestën e tyre është po kaq e domosdoshme. Ndaj dhe duhet të ndërtoni aty ku jeni, të gjithë organizimin e nevojshëm në degën për të përmbushur këtë mision”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se PD-ja mbështet protestën e studentëve dhe gjimnazistëve dhe do të jetë aktive në përkrahjen e tyre.
Sipas Berishës, qindra pedagogë të lidhur me Partinë Demokratike janë bashkuar me protestën, ndërsa Sindikata e Arsimit të Lartë ka bërë thirrje në mbrojtje të interesave të pedagogëve dhe studentëve.
“Çdonjëri duhet ta ketë të qartë, kjo është një revoltë studentore, por ne jemi dhe do të jemi aktivë në këtë revoltë në mbështetje të studentëve me të gjithë potencialin tonë”, tha Berisha.
