Shkup, 21 tetor – Prokurori publik i shtetit, Lupço Kocevski, thekson se është nën presion politik për t’u tërhequr. Në një deklaratë me shkrim, ai ka mohuar se ka dhënë udhëzime se si të vendoset për një ankesë. Ky reagim vjen pasi kreu i Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrulahi, dhe prokurori, Jovan Cvetanovski, thanë se muajin e kaluar Kocevski u ka thënë të kenë kujdes se çfarë vendimi marrin për rastin me bonuset e PSP-së, pas së cilës puna e prokurorëve është kontrolluar. Kocevski thotë se përmes kontrollit është dashur të verifikohen informatat për punë të mundshme joprofesionale dhe se mbikëqyrja nuk paraqet ndërhyrje në punën e Prokurorisë së Lartë.
“Pretendimet e rreme për presione të supozuara nisën menjëherë pas fillimit të kontrollit, gjë që vetëm më konfirmon se po bëj gjënë e duhur dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem. Tema e caktuar që përmendet nuk i nënshtrohet fare shqyrtimit dhe përmendet vetëm për të ushtruar presion politik dhe për të më detyruar të tërhiqem. Por, kjo nuk do të ndodhë në asnjë moment.”, – deklaroi prokurori publik i shtetit, Lupço Kocevski.
Prokurori Cvetanovski, i cili është duke punuar në rastin e bonuseve të PSP-së, thotë se fjalën e fundit do ta ketë Këshilli i Prokurorëve Publikë.
“Nuk është e qartë se pse akuzohem se po bëj presion politik. Unë po mbroj integritetin tim si prokuror publik nga presionet që vijnë nga niveli më i lartë i mundshëm.”, – theksoi prokurori publik, Jovan Cvetanovski.
Prokuroria e Lartë vendos pas ankesës së VMRO-DPMNE-së, pasi prokurori publik për krim të organizuar dhe korrupsion, Islam Abazi, në të njëjtën kohë ka marrë vendim me të cilin ka hedhur poshtë kallëzimin ndaj ish-prokurorëve të PSP -së, të cilëve Katica Janeva u ka shpërndarë mijëra euro bonuse për konfidencialitet, jashtë pagës, me të cilat sipas raportit, buxheti i shtetit është dëmtuar për më shumë se 4.5 milionë euro.
“Biseda ishte se ne si Prokurori e Lartë Publike nuk guxojmë të shfuqizojmë vendimin e shkallës së parë, sepse VMRO-DPMNE-ja, si parti politike nuk është e dëmtuar dhe nuk ka të drejtën e ankesës, sa i përket kësaj lënde. Por, unë të kem kryer presion mbi prokurorin shtetëror, kjo është “non sens” për mua.”, – theksoi shefi i Prokurorisë së Lartë, Mustafa Hajrullahu.
Vendimi për bonuset në PSP ende nuk është miratuar.

