Bulevardi „Hasan Prishtina“ në fazën e projektimit, ndërtimi varet nga shpronësimi

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 tetor Zhurnal.mk – Bulevardi “Hasan Prishtina”, që pritet të lidhë zonën e Vizbegut me infrastrukturën rrugore të Shkupit, është në fazën e ndryshimeve të projektit, ndërsa nisja e ndërtimit varet nga përfundimi i procedurave të shpronësimit.

Kështu ka bërë të ditur Qyteti i Shkupit për TVM2, duke theksuar se pas përfundimit të këtyre proceseve do të nisin procedurat e prokurimit publik për ndërtimin e bulevardit.

Sipas Qytetit të Shkupit, kryetari Orce Gjorgjievski dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kanë zhvilluar një takim me biznesmenët e zonës industriale “Vizbeg”, ku është arritur një marrëveshje parimore me palët e prekura.

Sipas marrëveshjes, pëlqimet për shpronësimin e pronave pritet të jepen deri në fund të këtij viti, me qëllim që ky proces të mos e pengojë realizimin e projektit.

Ndryshimet e projektit parashikojnë ndërtimin e një rrethrrotullimi të madh në kryqëzimin me bulevardin “Sllovenia”, katër korsi për qarkullimin e automjeteve, si dhe hapësira të dedikuara për biçiklistët dhe këmbësorët, të shoqëruara me zona të gjelbra.

Ndërkohë, sa u përket projekteve të tjera infrastrukturore në këtë pjesë të Shkupit, Qyteti bën të ditur se fokusi është te ndërtimi i nyjës rrugore në Momin Potok dhe lidhja e saj me bulevardin “Sllovenia”, si dhe te ndërtimi i bulevardit “Brigada Maqedono-Kosovare” në Çair.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër