Burnham pret Zelensky në Londër, rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën

Nga D V
488 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 27 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri britanik Andy Burnham do të presë sot në Londër presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai do të jetë lideri i parë i huaj që Burnham pret zyrtarisht që nga marrja e detyrës si kryeministër.

Gjatë vizitës, Burnham dhe Zelensky do të vizitojnë një bazë detare, ku Britania e Madhe do t’i transferojë Ukrainës të drejtat e pronësisë intelektuale, për sistemin e ri të luftës elektronike “Stone Cloak”, duke i mundësuar Kievit ta prodhojë atë në shkallë të gjerë.

Pajisja, me madhësinë e një tableti, bllokon zbulimin e dronëve nga forcat ruse.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka furnizuar tashmë Ukrainën me mijëra pajisje të tilla, për të forcuar operacionet me dronë.

“Britania e Madhe qëndron krah për krah me Ukrainën dhe mbështetja jonë mbetet e palëkundur”, tha Burnham, duke shtuar se Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e Londrës, për të mbështetur Ukrainën deri në arritjen e një paqeje të drejtë dhe afatgjatë.

Teknologjia “Stone Cloak”, e testuar tashmë në frontin e luftës në Ukrainë, pritet të integrohet edhe në gjeneratën e ardhshme të armëve britanike me rreze të gjatë veprimi, përfshirë projektin “Brakestop” për zhvillimin e raketave kruz me kosto të ulët.

Gjatë vizitës, dy liderët do të takohen edhe me mbi 200 ushtarakë ukrainas, të cilët kanë marrë pjesë gjatë tre javëve të fundit në manovrën “Exercise Sea Breeze” në Britani të Madhe, të fokusuar në rritjen e aftësive luftarake dhe operacionet kundër minave në Detin e Zi.

Burnham e ftoi Zelensky për vizitë menjëherë, pasi mori detyrën javën e kaluar dhe është zotuar të vazhdojë politikën e paraardhësit të tij, Keir Starmer, për një mbështetje të fortë ndaj Ukrainës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër