Tiranë, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike do të paraqesë amendamente për projektbuxhetin e vitit 2027, ku kërkon rritjen me 50% të pagës minimale, me 30% të pagës mesatare dhe vendosjen e minimumit jetik në 200 euro. Kështu deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediet, duke bërë të ditur edhe propozime për rritjen e pensioneve.
Berisha u shpreh se amendamentet e opozitës do të përfshijnë edhe një sistem rritjeje të pensioneve drejt dyfishimit, duke kërkuar që asnjë pension të mos jetë më i ulët se 200 euro.
“Ne do kërkojmë rritjen e rrogës minimale 50 përqind, rritjen e rrogës mesatare 30 përqind, vendosjen e minimumit jetik 200 euro. Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse PD do të paraqesë amendamente për buxhetin dhe paketën fiskale, Berisha kritikoi ndryshimet fiskale, duke pretenduar se ato rëndojnë mbi profesionet e lira, biznesin e vogël dhe investitorët.
Sipas tij, zgjerimi i skemës së TVSH-së dhe rritja e taksës mbi dividendin do të ndikojnë në kostot e bizneseve dhe shërbimeve. Kreu i PD theksoi se shpenzimet operative kanë arritur në 930 milionë euro, ndërsa nga fondi prej 2,2 miliardë eurosh për investime publike një pjesë e konsiderueshme rrezikon të keqpërdoret.
Ai deklaroi se amendamentet do të paraqiten në Kuvend gjatë shqyrtimit nen për nen të projektbuxhetit dhe paketës fiskale.

