Shkup, 30 janar – Për programin “Erasmus+” për vitin 2026, vendit i është ofruar një buxhet prej 8,1 milionë euro nga Komisioni Evropian, më i madhi në 12 vitet e fundit që nga përfshirja e Maqedonisë së Veriut në këtë program evropian për arsim dhe lëvizshmëri.
Gjatë një ngjarjeje në Fakultetin Ekonomik pranë USHQM, ku Agjencia Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmërinë (AKPAEL) prezantoi prioritetet programore të “Erasmus+” dhe të Korpusit Evropian të Solidaritetit për vitin 2026, kryeministri Hristajn Mickoski theksoi se fakti që është i disponueshëm një buxhet maksimal pasqyron besimin në institucionin përkatës.
Ai shprehu dëshirën për më shumë shkëmbime studentore, të cilat, sipas tij, do të rezultojnë në më shumë përvojë dhe studentë më të motivuar, të cilët njohuritë do t’i sjellin në vendin e tyre.
“Është e mirë që dikush të shkojë jashtë, të fitojë përvoja dhe të kthehet në shtëpi i motivuar dhe i inspiruar nga ato përvoja, dhe pastaj me më shumë vetëbesim të transmetojë njohuritë te studentët këtu në Maqedoni. Kjo është edhe qëllimi i ‘Erasmus+’. Me këtë program, të rinjtë kanë qasje në një instrument financiar të fuqishëm evropian, i cili mundëson lëvizshmëri ndërkombëtare, shkëmbim, mësim dhe zhvillim profesional. Sidomos dua të theksoj se për vitin 2026 është siguruar buxheti më i madh në këtë kornizë financiare, në një shumë totale prej mbi 8 milionë euro. Kjo nuk është rastësi. Kjo është rezultat i një vendosjeje të qartë për të investuar aty ku përfitimi është më i madh: tek të rinjtë”, tha Mickoski.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se Maqedonia është pjesë e programit “Erasmus+” tashmë 12 vite dhe se kjo përbën një mundësi të shkëlqyer për të rinjtë tanë për të fituar njohuri dhe lëvizshmëri.
“Programi i dedikohet kryesisht të rinjve, të cilët kanë mundësinë të fitojnë përvoja dhe njohuri në territorin e Bashkimit Evropian, të cilat më pas do t’i sjellin në vendin e tyre. Në vitin 2014 kemi filluar me një buxhet prej 3,5 milionë euro, ndërsa për vitin 2026 arrijmë në buxhet prej 8,1 milionë euro, që tregon mbështetje të fuqishme për të rinjtë e vendit tonë për të njohur dhe arritur standardet evropiane. Jam thellësisht e bindur se këtë vit do të vazhdojë pjesëmarrja aktive e Agjencisë në programin ‘Erasmus+’, në mënyrë të përgjegjshme, të ndershme dhe të përkushtuar, dhe se të rinjtë edhe në të ardhmen do të kenë mundësi të fitojnë përvoja në BE”, deklaroi Janevska.
Drejtoresha e AKPAEL-it, Ana Mihajllov, kumtoi se gjatë gjashtë muajve të fundit kanë punuar intensivisht për të përmirësuar proceset në Agjenci, me qëllim, siç tha, të rikthejnë besimin në këtë institucion.
“Mendoj se rezultatet e tregojnë këtë, pasi për vitin 2026 është siguruar buxheti më i madh në këtë kornizë financiare, prej 8,1 milionë euro të disponueshme për arsim, trajnim, të rinjë dhe sport. Gjithashtu, kemi pasur 100 për qind më shumë aplikime krahasuar me vitet e kaluara, që do të thotë se të rinjtë, organizatat dhe universitetet besojnë se sistemi funksionon dhe se mjetet e Komisionit Evropian shpërndahen në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente”, tha Mihajllov.

Prania e kryeministrit dhe e ministres së Arsimit dhe Shkencës në ngjarjen e sotme, tha ajo, konfirmon se mbështetja e Qeverisë për arsimin dhe të rinjtë është e fortë.
Në pyetjen se cilat janë informacionet e fundit lidhur me kërkesën e Drejtorisë së Përgjithshme të BE-së për rikthimin e mjeteve pas konstatimeve për keqpërdorime, Mihajllov u përgjigj se kjo është një çështje për institucionet që e udhëheqin rastin. Ajo shtoi se AKPAEL ndjek me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian.
“Për të gjitha vërejtjet kemi punuar aktivisht gjatë gjashtë muajve të fundit. Së pari, duhet të përmirësojmë proceset brenda institucionit, dhe këtë po e bëjmë me sukses, duke u vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian. Për këtë çështje duhet të përgjigjen institucionet që e udhëheqin rastin, dhe kjo nuk është Agjencia Kombëtare”, shtoi Mihajllov.

