Bylykbashi: T’i hiqet imuniteti Ballukut, nuk mund të shndërrohet në pengesë për drejtësinë

Nga D. V.
632 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi paraqiti sot në Kuvend raportin e pesë anëtarëve të opozitës në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet, ku kërkohet nga Kuvendi dhënia e autorizimit për heqjen e imunitetit të deputetes së Partisë Socialiste, Belinda Balluku.

Bylykbashi argumentoi se Balluku është marrë e pandehur nga SPAK si person nën hetim që dyshohet se ka kryer në mënyrë të përsëritur veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

“Nga analiza e fakteve dhe rrethanave të çështjes rekomandojmë që deputetët të votojnë pro për miratimin e kërkesës së SPAK, duke vendosur dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin apo heqjen e lirisë përmes zëvendësimit të masës së sigurimit, nga ajo e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimit të detyrës në atë të arrestit me burg apo në shtëpi për deputeten Belinda Balluku”, u shpreh Bylykbashi.

Bylykbashi solli në vëmendje rekomandimin e Komisionit të Venecias sipas së cilit imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë parlamentit dhe në veçanti, funksionimi i duhur i tij.

“Sipas Komisionit të Venecias imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht. Edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2012 kanë tentuar të afrojnë zyrtarin e lartë shtetëror me qytetarin e zakonshëm për të garantuar barazinë para ligjit”, tha Bylykbashi.

Në këtë drejtim, Bylykbashi sqaroi se Kuvendi nuk ka kompetencë për të vlerësuar meritën e çështjes, por vetëm ekzistencën formale të përmbushjes së këtyre kushteve, në të kundërt bën shqyrtimin ligjor në shkelje të ndarjes të pushteteve.

Bylykbashi theksoi se imuniteti nuk duhet të shndërrohet në mburojë pandëshkueshmërie apo pengesë të drejtësisë.

“Nëse pranohet e kundërta, çdo akt i prodhuar është i pavlefshëm sepse Kuvendi kalon kompetencën e tij dhe u uzurpon kompetencën e gjyqësorit. Nëse Kuvendi shqyrton nevojën apo jo të kryerjes së një veprimi konkret hetimor nga ana e drejtësisë, cenon parimin e ndarjes së pushteteve”, tha Bylykbashi.

Sipas tij, Kuvendi ka për detyrë të verifikojë vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit dhe të sigurohet që deputeti të mos jetë peng i përdorimit abuziv politiko-partiak për shkak të veprimtarisë së tij parlamentare.

Duke cituar Komisionin e Venecias, Bylykbashi u shpreh se Kuvendi nuk duhet të bëjë shqyrtimin ligjor të çështjes dhe nuk mund të çmojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit. Kjo, sipas tij, është kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor.

“Kuvendi nuk është ftuar të caktojë masë sigurimi sepse nuk është kompetencë e tij. I është kërkuar autorizim nga SPAK që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për masën e sigurimit”, shtoi Bylykbashi.

Bylykbashi sqaroi se nëse Kuvendi mban qëndrim se ka nevojë për një veprim të caktuar, ndërkohë që prokuroria çmon dhe vërteton të kundërtën, Kuvendi në mënyrë antikushtetuese uzurpon kompetencat e organeve gjyqësore.

Kjo, sipas tij, “do të ishte një ndërhyrje brutale në sferën e kompetencave të pushtetit gjyqësor dhe cenim flagrant i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetit”.

Në këtë drejtim, Bylykbashi sqaroi se Kuvendi ka autoritet kushtetues të verifikojë vetëm ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm dhe mungesën e motiveve politike në hetimin penal të çështjes; ekzistencën e kushteve ligjore për autorizimin e veprimit të kërkuar nga prokuroria; dhe plotësimin nga ana përmbajtësore të disa kritereve të elaboruara nga Komisioni i Venecias.

Bylykbashi konkludoi duke theksuar se imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë arsye të besohet se akuzat ndaj Ballukut janë të motivuara politikisht.

“Provohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova ku prokuroria tregon në mënyrë të qartë me një set provash që janë depozituar në Kuvend. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit tregoi qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Balluku. Pozicioni i saj si deputete e mazhorancës, lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm ministrash në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës publike është tregues i qartë i lidhjeve të saj për të ndikuar në cenimin e provave të procedimit penal”, theksoi Bylykbashi.

Sipas tij, “prokurorët paraqitën prova se Balluku është përpjekur të ushtrojë presion ndaj dëshmitarëve përmes ‘të fortëve’, si dhe përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër