Shumica e njerëzve flenë për vite me radhë në të njëjtin pozicion, shpesh pa menduar nëse ai është i përshtatshëm për trupin.
Megjithatë, ekspertët e gjumit theksojnë se mënyra se si pozicionohemi gjatë natës mund të ndikojë në shëndetin e shtyllës kurrizore, dhimbjet e qafës dhe shpinës, gërhitjen, frymëmarrjen dhe urthin.
Sipas specialistëve, nuk ekziston një pozicion ideal për të gjithë, pasi zgjedhja varet nga nevojat dhe gjendja shëndetësore e secilit.
Foto ilustruese
Nëse zgjoheni të çlodhur, pa dhimbje dhe pa probleme me frymëmarrjen, nuk ka arsye të ndryshoni mënyrën se si flini.
Gjumi në shpinë
Ky pozicion mund të jetë i dobishëm për personat që vuajnë nga dhimbjet e qafës dhe shpinës, pasi ndihmon në shpërndarjen më të barabartë të peshës dhe ul presionin mbi shtyllën kurrizore.
Ekspertët rekomandojnë vendosjen e një jastëku nën gjunjë dhe përdorimin e një jastëku që mbështet siç duhet qafën.
Megjithatë, gjumi në shpinë nuk rekomandohet për personat që gërhasin, vuajnë nga apnea e gjumit apo refluksi, si dhe për gratë shtatzëna.
Gjumi në njërën anë
Fjetja në njërin krah është një nga pozicionet më të përhapura dhe veçanërisht e dobishme për personat që gërhasin ose kanë apnea të gjumit, pasi ndihmon në mbajtjen më të hapur të rrugëve të frymëmarrjes.
Për ata që kanë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, rekomandohet që gjunjët të mbahen lehtësisht të përkulur dhe të vendoset një jastëk i hollë mes tyre.
Ndërkaq, personat që kanë dhimbje në shpatulla duhet të ndërrojnë herë pas here anën, për të shmangur presionin e vazhdueshëm në të njëjtin krah.
Gjumi në anën e majtë
Ky pozicion konsiderohet veçanërisht i përshtatshëm për personat që vuajnë nga urthi dhe refluksi gastroezofageal, pasi ndihmon në pengimin e kthimit të acidit të stomakut drejt ezofagut.
Gjithashtu, fjetja në anën e majtë, me gjunjët lehtësisht të përkulur, rekomandohet edhe për gratë shtatzëna, pasi ndihmon qarkullimin e gjakut dhe zvogëlon presionin në pjesën e poshtme të shpinës.
Gjumi në bark
Fjetja në bark konsiderohet pozicioni më pak i rekomanduar nga specialistët, pasi e detyron qafën të qëndrojë e kthyer anash dhe krijon tension në qafë, shpinë dhe shpatulla.
Personave që e kanë të vështirë të flenë në një pozicion tjetër u këshillohet të përdorin një jastëk shumë të hollë ose të flenë pa të.
Një jastëk i hollë nën ije mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e presionit mbi shtyllën kurrizore.
Në fund, ekspertët theksojnë se nuk duhet ta detyrojmë trupin të flejë në një pozicion të caktuar.
Gjatë natës është krejtësisht normale të ndërrojmë pozicion, teksa trupi zakonisht gjen vetë mënyrën më të rehatshme për të pushuar.


