Në kulmin e virozave dhe gjendjes gripale në vend, në Shërbimin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar fluksin e shtuar të pacientëve, duke garantuar ofrimin e shërbimit pa asnjë problematikë.
Drejtuesja e QSUT-së, Anxhela Paparizo, zhvilloi një vizitë në shërbimin Infektiv pranë kësaj qendre spitalore, ku u takua nga afër me stafin mjekësor, atë infermieror dhe pacientë të shtruar.
Dr. Najada Çomo, shefja e Spitalit Infektiv në Tiranë, tha se aktualisht situata e gripit është normale.
“Shërbimi Infektiv ka pacientë nga 1 janari deri në 31 dhjetor. Pjesa e gripit ka zënë pjesën e fortë të kësaj situate, ku fluksi i pacientëve ka qenë i shtuar. Kemi pasur situata të rënduara, pasi ka pacientë që kanë infeksione virale të rënda që detyrojnë pacientin të shtrohet pranë Shërbimit Infektiv”, tha Dr. Çomo.
Sipas Dr. Çomos, situata është e menaxhueshme nga ana e stafit mjekësor, qoftë nga ana e stafit infermieror, barnat janë në spital dhe pacientët nuk janë të detyruar t’i blejnë ato jashtë spitalit.
“Hoteleria, kuzhina, ndihma e psikologëve dhe sociologëve për grupe pacientësh të caktuar është gjithashtu e mbuluar”, vijoi ajo.
Dr. Çomo theksoi se edhe në rast të përshkallëzimit të mundshëm të situatës për shkak të gripit, Shërbimi Infektiv është i përgatitur për çdo situatë serioze.
“Gjithsej janë 16 shtretër, ka edhe një dhomë izolimi për çdo pacient që ka sëmundje infektive futet në një dhomë të izoluar. Është edhe dhoma e triazhit sipas kodit që menaxhohet nga stafi mjekësor”, tha Dr. Çomo, e cila shtoi se janë rreth 200 pacientë në ditë që paraqiten në urgjencë, prej të cilëve 40% janë për shtrim në spital dhe 60% marrin ndihmën mjekësore dhe largohen.

