DAP: Nuk ka obligime të reja tatimore për studentët, as tatim mbi shumat që tashmë janë tatimuar

Nga Xh M
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 31 mars Zhurnal.mk – Drejtoria e të Ardhurave Publike reagoi sot në lidhje me shkrimet e publikuara në disa media, në të cilat thuhej se studentët janë “nën goditje” nga Drejtoria dhe se u kërkohet të paguajnë tatim për punën verore në Gjermani për periudhën e pesë viteve të fundit, duke theksuar se është e nevojshme informim transparent i publikut dhe studentëve, me qëllim shmangien e keqinterpretimit të aktiviteteve të saj.

– DAP nuk vendos obligime të reja, as nuk kërkon përmbushjen e obligimeve që nuk janë të rregulluara me ligj. Aktivitetet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike janë të orientuara drejt vendosjes së rregullit në tatim dhe zbatimit të drejtë dhe të barabartë të rregullave ligjore për të gjithë tatimpaguesit. Qasja e DAP nuk është e orientuar vetëm drejt zbatimit të detyruar të dispozitave ligjore, por para së gjithash drejt nxitjes së deklarimit vullnetar dhe pagesës së tatimeve, përmes sqarimeve publike dhe të personalizuara të obligimeve ligjore. Sa i përket tatimit mbi të ardhurat e realizuara jashtë vendit, DAP gjatë periudhës së fundit në faqen e saj të internetit ka publikuar materiale sqaruese, përfshirë informacione, përgjigje për pyetjet më të shpeshta, video-udhëzime dhe rikujtime për afatet ligjore, thuhet në njoftim.

DAP shton se në dy raste janë dërguar njoftime të personalizuara për të gjithë qytetarët që në vitin 2025 kanë realizuar të ardhura nga puna jashtë vendit, me qëllim që ata të informohen me kohë, shumë përpara skadimit të afatit ligjor, për obligimin e deklarimit të të ardhurave të realizuara. Në këtë kategori, shtojnë nga DAP, bëjnë pjesë edhe studentët që kanë realizuar të ardhura përmes punës afatshkurtër jashtë vendit.

– Me këto aktivitete askush nuk është “nën goditje”, por bëhet fjalë për masa që synojnë rritjen e vetëdijes për obligimet ligjore dhe sigurimin e mbështetjes për përmbushjen e tyre të drejtë dhe në kohë. DAP në disa raste ka theksuar se nuk mund të ketë tatim të dyfishtë për të njëjtin të ardhur dhe se ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare përcaktojnë saktësisht në cilin shtet paguhet tatimi. Megjithatë, çdo rezident i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka obligim të deklarojë të ardhurat e realizuara jashtë vendit dhe t’i përfshijë ato në deklaratën tatimore, pasi kjo është e rëndësishme për realizimin e të drejtave dhe obligimeve ndaj institucioneve të ndryshme. Është e rëndësishme që të gjithë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, t’i kuptojnë obligimet e tyre dhe t’i përmbushin ato në kohë, sepse vetëm kështu ndërtohet një shoqëri e bazuar në rregulla të barabarta, sundim të ligjit dhe shpërndarje të drejtë të barrës tatimore, thuhet në njoftim.

DAP rikujton edhe një herë obligimet ligjore, duke theksuar se sipas Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale, çdo person fizik rezident tatimor në Maqedoninë e Veriut ka detyrim të deklarojë dhe të paguajë tatim për të ardhurat e realizuara si në vend, ashtu edhe jashtë tij.

– Rezident konsiderohet personi që ka vendbanim të përhershëm ose që qëndron në territorin e shtetit më shumë se 183 ditë në çdo periudhë 12-mujore. Kjo do të thotë se personat që kanë vendbanim të përhershëm në vend, si dhe ata që kanë qendrën e interesave jetësore (interesa ekonomike, familje më të afërt) në vend, konsiderohen rezidentë tatimorë në Maqedoninë e Veriut. Sipas dispozitave ligjore, të ardhurat nga puna përfshijnë çdo të ardhur të realizuar nga marrëdhënia e punës, përfshirë edhe të ardhurat nga angazhime të përkohshme jashtë vendit. Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka lidhur marrëveshje me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin, e publikuar në “Gazetën Zyrtare të RM” nr. 86/06, me zbatim nga 01.01.2011, e cila rregullon të drejtën e tatimit ndërmjet shteteve kontraktuese dhe procedurat për shmangien e tatimit të dyfishtë, sqarojnë nga DAP.

Ata shtojnë se personat fizikë – studentë që kanë realizuar të ardhura nga punë afatshkurtër në Gjermani, me qëndrim atje më pak se 183 ditë, konsiderohen rezidentë tatimorë të Maqedonisë dhe kanë detyrimin: të deklarojnë të ardhurat përmes sistemit e-shërbime tatimore dhe të dorëzojnë përllogaritjen elektronike më së voni deri më datën 10 të muajit për të ardhurat e realizuara në muajin paraprak. Për këto të ardhura, sipas ligjit dhe marrëveshjes ndërkombëtare, tatimi paguhet në Maqedoni.

– Në përllogaritje duhet të shënohen detyrimisht të dhënat për shtetin nga është realizuar e ardhura, data e pranimit, shuma dhe valuta. Pas miratimit të përllogaritjes nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, tatimpaguesi merr urdhërpagesë dhe tatimi i përcaktuar duhet të paguhet më së voni deri më datën 15 të muajit. Sipas informacioneve publike dhe pyetjeve të drejtuara në DAP, tatimi që është mbajtur dhe paguar nga paguesit për të ardhurat e studentëve u është kthyer atyre nga administrata tatimore gjermane. Ky të ardhur (shuma bruto), sipas marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë me Gjermaninë dhe Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale, i nënshtrohet tatimit në Maqedoni. Për informacione shtesë, qytetarët mund të informohen në faqen zyrtare të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, thuhet në njoftimin e DAP.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër