Shkup, 29 qershor Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur hetim ndaj një 51-vjeçari, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje”, pasi dyshohet se gjatë ushtrimit të dhunës në familje ka vrarë bashkëshorten e tij 48-vjeçare.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 25 qershor në afërsi të fshatit Letevcë. I dyshuari e kishte marrë gruan me veturë nga vendi i saj i punës dhe e kishte dërguar në një zonë të izoluar, ku e kishte sulmuar fizikisht. Ai dyshohet se e ka shtypur fort në qafë, ndërsa njëkohësisht ia ka mbuluar gojën dhe hundën, duke i pamundësuar frymëmarrjen. Viktima ka tentuar të mbrohet, por ka ndërruar jetë nga asfiksia në vendin e ngjarjes.
Pas krimit, i dyshuari e ka fshehur trupin e saj nën degë mes drunjve, ndërsa një ditë më vonë kishte raportuar në polici se bashkëshortja ishte zhdukur.
Sipas hetimeve, më 27 qershor ai u kishte thënë tre të njohurve se e dinte ku ndodhej gruaja, duke pretenduar se ajo i ishte shfaqur në ëndërr dhe i kishte treguar vendndodhjen. Të katërt shkuan në lokacionin e përmendur, ku gjetën trupin dhe njoftuan policinë.
Prokurori i çështjes ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, duke vlerësuar se ekziston rrezik arratisjeje, ndikimi mbi dëshmitarët, si dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale.
Në arsyetimin e kërkesës thuhet se mënyra e kryerjes së krimit tregon për planifikim paraprak, ndërsa pas vrasjes i dyshuari kishte tentuar të fshihte gjurmët dhe të krijonte përshtypjen e një bashkëshorti të shqetësuar që merrte pjesë në kërkimet për gruan, me qëllim sigurimin e një alibie.
Policia kishte njoftuar një ditë më parë se kishte arrestuar ish-bashkëshortin e viktimës dhe dy miq të tij në lidhje me vrasjen e 48-vjeçares nga fshati Taor. Trupi i gruas ishte gjetur në gjendje të dekompozuar, ndërsa autopsia konfirmoi se bëhej fjalë për vdekje të dhunshme.
