Dezinformata propaganduese e Petkoviqit, ekspertët: Përpjekje e Beogradit për të paraqitur Kosovën si burim destabiliteti

Nga D V
558 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Drejtori i ashtuquajtures Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka akuzuar Policinë e Kosovës, apo si e ka quajtur ai “Policinë e Kurtit” se kanë ndërmarr masa “të panevojshme” ndaj komunitetit serb gjatë përkujtimit të festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren, duke e cilësuar si “represion”.

Petkoviq pretendoi se “qëllimi ishte të krijohej një Gazimestan i ri”, duke përdorur një narrativë të njohur politike të Beogradit që synon të paraqesë institucionet e Kosovës si kërcënim ndaj komunitetit serb.

E narrative serbe të tilla kohën e fundit janë intensifikuar kundër Kosovës. Ishte ministrja serbe, Snezhana Paunoviq që para disa javëve foli për spastrim etnik të Kosovës, Igor Simiq që dezinformoi disa herë karshi vendit tonë, e së fundmi vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiq që kërcënoi Kosovën me narrativën serbomadhe.

Se kjo fushatë lidhet me përpjekjet e Serbisë për të paraqitur Kosovën si burim të vazhdueshëm të destabilitetit, tha profesori universitar Dorajet Imeri.

“Kjo fushatë lidhet me përpjekjet e Beogradit për të paraqitur Kosovën si burim të vazhdueshëm të destabilitetit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësitë e veta nga procesi negociues me Kosovën, nga fshehja dhe mosdorëzimi i Radojçiqit dhe grupit të tij kriminal, nga bashkëpunimi i ngushtë dhe strategjik me Rusinë dhe Kinën.” tha Imeri.

Imeri u shpreh se çdo veprim që Kosova ndërmerr në veri, Serbia e shfrytëzon të krijojë si narrativë që komuniteti serb është në rrezik. Sipas tij, kjo i shërben shtetit serb për të mobilizuar opinionin publik në planin e brendshëm.

“Çdo veprim institucional që Kosova është duke e ndërmarrë, sidomos në veri, shfrytëzohet për të krijuar narrativën se komuniteti serb është i rrezikuar, ndërsa së fundi ka nisur të përdorë sidomos institucionet fetare dhe klerin ortodoks serb si mekanizmin kryesor propagandues. Kjo i shërben Serbisë për të mobilizuar opinionin publik në planin e brendshëm, ndërsa në planin ndërkombëtar dëshiron ta portretojë Kosovën si penguese e stabilitetit dhe dhunuese ndaj pakicave, duke e detyruar atë pastaj të bëj koncesione politike në procesin negociues.” tha tutje ai.

Profesori universitar vlerësoi se deklaratat e Petkoviqit synojnë të ndërtojnë perceptimin se çdo veprim i Policisë së Kosovës është i motivuar në baza etnike.

“Deklaratat e Petkoviqit synojnë të ndërtojnë perceptimin se çdo veprim i Policisë së Kosovës është i motivuar etnikisht dhe i drejtuar kundër pakicës serbe, kjo për të ulur besimin në institucionet e Kosovës dhe për të mbajtur në vazhdimësi të pa integruara në jetën sociale e politike pakicën serbe në Kosovë.” potencoi Imeri.

Imeri theksoi se Kosova duhet të reagojë shpejt në secilën situatë, duke shtuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Karshi dezinformimit serb, në Kosovë ekspertë të sigurisë kanë potencuar vazhdimisht se nuk ka asnjë të vërtetë në deklaratat propaganduese të Beogradit.

Një reagim i tillë erdhi edhe sot nga eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Ai tha se përmes deklaratave të tilla si ato të lartcekura të Petar Petkoviqit, dëshmojnë se, Beogradi tenton të konsolidojë mesazhin e rremë se në Kosovë po kufizohen liritë e serbëve, ndërsa organizimin paqësor të ceremonive fetare e paraqet si dëshmi të “unitetit dhe qëndrueshmërisë” së tyre.

“Kjo është lufta hibride e Serbisë për të fituar terren, për të propaganduar para faktorit ndërkombëtar dhe për të luajtur rolin e viktimës. Por, fuqia dhe stabiliteti ynë në aspektin e sigurisë mbeten të palëkundura!”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër