Shkup, 12 nëntor Zhurnal.mk – Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë Tonë do të mbetet në Qeveri për aq kohë sa respektohen parimet e dakorduara të koalicionit, por nuk do të pranojë zgjidhje që e ndërlikojnë sistemin juridik dhe vënë në pikëpyetje rendin kushtetues të shtetit.
Këtë e theksoi kryetari i Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë Tonë, Maksim Dimitrievski, në paraqitjen e tij në emisionin “Samo intervju” në Televizionin Kanal 5, ku foli për çështjet aktuale politike, propozimin për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe marrëdhëniet brenda koalicionit qeveritar.
“Në politikë ekzistojnë kompromiset, por në sundimin e së drejtës nuk ka kompromis. Propozimi i ministrit Shasivari është një zgjidhje hibride, ndërsa triumfalizmi është i pabazë, sepse Qeveria nuk ka marrë vendim, por propozimi është dërguar për mendim në Komisionin e Venecias. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin ekzistues, nuk ekziston mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe”, theksoi Dimitrievski.
Ai nënvizoi se nëse një zgjidhje e tillë i dorëzohet Kuvendit, ZNAM do të shprehet kundër, ndërsa nëse qëndrimi i partisë nuk respektohet, do ta rishqyrtojë pjesëmarrjen e saj në Qeveri.
Dimitrievski theksoi se ZNAM nuk ka marrë pjesë në asnjë marrëveshje politike për këtë çështje dhe pret që në takimin e paralajmëruar të liderëve në dhjetor, partia të konsultohet në mënyrë aktive dhe jo vetëm të informohet më pas për vendimet.
Ai përcolli mesazhin se mbrojtja e rendit juridik, legalizmi dhe respektimi i Kushtetutës janë parime nga të cilat ZNAM nuk do të heqë dorë.
Me këtë rast, ai theksoi se të drejtë për ta dhënë provimin e jurisprudencës kanë juristët e diplomuar me një ose dy vjet përvojë pune në çështje juridike, dhe jo studentët. Sipas tij, në sistemin gjyqësor, kuptimi i saktë i terminologjisë juridike dhe njohja e gjuhës zyrtare maqedonase kanë rëndësi thelbësore.
Duke folur për marrëdhëniet brenda koalicionit qeveritar, Dimitrievski vlerësoi se bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Hristijan Mickoski është konstruktiv dhe i shkëlqyer.
Ai hodhi poshtë akuzat e LSDM-së se ZNAM po krijon një krizë artificiale politike me qëllim të shkaktimit të zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se vendimi për zgjedhje është në kompetencë të kryeministrit.
Sa u përket kërkesave politike të BDI-së për provimin e jurisprudencës, Dimitrievski vlerësoi se bëhet fjalë për një iniciativë që rihap çështjen e temave të cilat tashmë kanë qenë objekt i debateve politike. Ai gjithashtu u përcolli një mesazh partive politike monoetnike se duhet t’i respektojnë ligjet dhe institucionet e shtetit.

