Dita e sotme vijon mot të paqëndrueshëm në vend, priten reshje shiu dhe shtrëngata

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Moti në vendin tonë gjatë ditës së hënë parashikohet të jetë i paqëndrueshëm, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ndërsa në disa zona do të ketë reshje shiu dhe shtrëngata afatshkurtra.

Sipas parashikimit meteorologjik, pjesa e parë e ditës do të karakterizohet nga kthjellime, ndërsa pas mesditës vranësirat do të bëhen mesatare deri të dendura.

Reshjet e herëpashershme të shiut, me intensitet të ulët, pritet të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të territorit.

Situata pritet të bëhet më e paqëndrueshme në zonat veriore, në skajin veriperëndimor dhe pjesërisht në qendër të vendit. Pas mesditës, në këto zona reshjet do të fitojnë intensitet deri mesatar, ndërsa herë pas here mund të shoqërohen me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike. Nuk përjashtohen as reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindja në jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Herë pas here, ajo pritet të arrijë shpejtësi deri në 14 m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.

Ndërkohë, në det parashikohet valëzim i forcës 2-4 ballë.

Sa i përket temperaturave, vlerat minimale pritet të regjistrohen në Peshkopi, ku termometri do të zbresë në 6°C, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 23°C në qytetet jugore të vendit.

Kështu, dita e hënë pritet të sjellë kushte të ndryshueshme atmosferike, ndaj këshillohet kujdes i shtuar, veçanërisht në zonat ku parashikohen reshje më intensive dhe shtrëngata. /tch/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër