Dua Lipa ka përmbyllur zyrtarisht turneun e saj “Radical Optimism” me një koncert të madh në Meksikë, duke mbyllur kështu një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së saj.
Pas performancës, artistja ndau në rrjetet sociale disa pamje nga koncerti dhe prapaskenat me ekipin e saj, ndërsa falënderoi fansat për mbështetjen gjatë gjithë turneut.
Në të njëjtën kohë, Dua bëri të ditur se filmi i koncertit “Live From Mexico” është publikuar në YouTube, ndërsa albumi live do të jetë i disponueshëm në platformat muzikore.
Dua Lipa/YouTube
Në mesazhin e saj, këngëtarja e përshkroi këtë turne si një eksperiencë shumë personale dhe emocionale, duke thënë se dy vitet e fundit kanë qenë ndër më të veçantat në jetën e saj.
Turneu “Radical Optimism” u shndërrua në një nga projektet më të suksesshme të artistes, me koncerte të mbushura plot dhe miliona fansa në mbarë botën.
Ajo në Instagram shkroi: “Live From Mexico”, filmi i koncertit, tashmë është publikuar në YouTube, ndërsa albumi do të dalë kudo pas mesnate. Dy nga vitet më speciale të jetës sime janë përmbledhur në dy orë… fundi i një epoke. Shpresoj që duke e parë dhe dëgjuar këtë projekt, të ndjeni euforinë, dashurinë, mundin, sakrificën dhe mbi të gjitha optimizmin e madh që kemi ndarë bashkë gjatë këtij turneu. Tani këto kujtime do të mbeten përgjithmonë me ne, ndaj ju falënderoj pafund.

