Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka një rritje të interesit të bizneseve për të aplikuar në programin “Dyfisho Sipërmarrjen tënde” dhe deri në datën 5 tetor janë miratuar 32 kredi me një vlerë që shkon në rreth 5 milionë euro.
I pranishëm në eventin për programin “Dyfisho Sipërmarrjen tënde” që ka nisur të mbështesë me kredi të butë biznesin e vogël dhe të mesëm, Rama u shpreh se programi ka ardhur si një nevojë për të mbështetur nga shumë afër sipërmarrje të vogla dhe të mesme që ja kanë dalë të formësohen dhe t’i mbijetojnë sfidave të krijimit të tyre në një treg të hapur.
“Këto sipërmarrje ja kanë dalë të përballojnë edhe vështirësitë që normalisht çdo biznes i ri i vogël përballon dhe që sot kanë akumuluar dije, kanë qartësi për se si mund të rriten, por nuk i kanë mundësitë financiare për t’u rritur, në kushtet e një sektori bankar ku interesat janë jo fort të favorshme në këtë moment”, tha Rama.
Sipas tij, bëhet fjalë për biznese që nuk janë ende shumë të konsoliduara dhe që kanë nevojë për mbështetje.
“Për këtë arsye kemi krijuar këtë skemë e cila faktikisht ofron një kredi me një interes deri në 2%, që është një kredi praktikisht shumë e butë dhe me një garanci shtetërore deri në 70%”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë bëri të ditur se financimi shkon deri në 2 milionë euro dhe afati është deri në 10 vjet.
Rama theksoi se kjo është një një kornizë shumë e favorshme e bërë enkas për biznesin e vogël dhe të mesëm dhe për të gjithë ata që kanë një ide dhe plan se si mund të rriten, por që ju duhet një financim.
“Më vjen shumë mirë që shohim një rritje të interesit. Praktikisht kemi sot që flasim rreth 400 biznese që janë në proces. Kemi praktikisht deri në datën 5 tetor 32 kredi të miratuara për një vlerë që shkon te rreth 5 milionë euro. Ritmi është i përshpejtuar. Në gusht kemi pasur 5, në shtator 20 dhe vetëm në pesë ditë e para të tetorit 7 kredi. Por hapësira është për shumë më tepër”, theksoi Rama.
