Reforma territoriale, Bardhi: PS kërkon centralizim, modeli i PD-së synon të kundërtën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi projektligjin e Partisë Socialiste për reformën territoriale si një përpjekje për të centralizuar më tej pushtetin vendor.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Bardhi deklaroi se përballë Kuvendit janë dy modele të ndryshme, propozimi i mazhorancës për 46 bashki dhe ai i opozitës për 100 bashki.

Sipas tij, harta e propozuar nga PS-ja i shërben interesit elektoral të kryeministrit Edi Rama, ndërsa modeli i PD-së synon vendosjen në qendër të interesit të qytetarëve.

“Në projektligjin e PS-së merr formë koncepti i Ramës për pushtetin: centralizimi. Ai ua ka marrë ndërkohë bashkive kompetenca me ligje dhe vendime të qeverisë, nga furnizimi me ujë te menaxhimi i mbetjeve. Tani kërkon edhe bashki më të mëdha, pa u kthyer kompetencat dhe fondet që u duhen për t’u shërbyer njerëzve”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se “modeli i PD-së synon të kundërtën: bashki pranë qytetarit, me më shumë pushtet, fonde dhe mundësi për të investuar”.

Duke iu referuar reformës territoriale të vitit 2014, Bardhi tha se ajo ka sjellë më pak investime në disa zona.

“Reforma e vitit 2014 la pas më pak investime në shumë zona, shkolla e qendra shëndetësore të mbyllura dhe shërbime më larg banorëve. PS kërkon ta thellojë këtë dështim duke shuar edhe 15 bashki, dhe t’ua nxijë jetën akoma më shumë njerëzve”, tha Bardhi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër