Editorial / Kryetarët komunalë të nisin projektet e premtuara

nga Redaksia

Shkup, 30 janar – Në zgjedhjet lokale që u mbajtën vitin e kaluar, e që konsiderohej si një ndër fushatat më intensive dhe më të zjarrta, thuajse u premtua gjithçka, apo siç thotë populli “qumësht e mjaltë”, por edhe pse kanë kaluar gati se tre muaj asnjë aksion për realizimin e premtimeve nuk duket askund. Është koha e fundit që kryetarët e zgjedhur të komunave të fillojnë e ta mbajnë fjalën dhe t’iu dalin hakësh premtimeve të dhëna, shkruan “Zhurnal.mk”.

Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale ishte mbajtur më 19 tetor, kurse rrethi i dytë me 2 nëntor. Zgjedhjet u përsëritën gjatë muajit janar në katër komuna ku nuk kishte arritur numri i duhur i daljes së votuesve. Në shumicën e komunave fitues doli koalcioni qeverisës VMRO-DPMNE dhe VLEN.

Zgjedhjeve iu paraprinë shumë probleme dhe mosmarrëveshje politike. Në krye të probleme ishte konflikti mes kryetares së Shkupit, Danella Arsovska dhe Komunës së Çairit, i cili u shndërrua në një nga përplasjet më të ashpra politike të vitit. Arsovska kishte bërë denoncime për legalizime të paligjshme, ndërsa e la qytetin të mbytej nga mbeturinat. Ajo qëllimisht nuk i grumbullonte mbeturinat duke tentuar që të krijonte krizë, gjoja për mosfunskionim të komunave. Kjo rezultoi me arrestimin e drejtorit të “Higjienës Komunale”. Ky rast nxori në pah se politika ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me kontrollin e ndërmarrjeve publike, dhe se përplasjet ishin midis pushtetit lokal dhe atij qendror.

Në fushatën zgjedhore, edhe përkundër faktit se duhej të kishte më shumë prezantim të ideve dhe programeve në interes të qytetarëve, se sa përplasjeve politike, fatkeqësisht ndodhi kjo e dyta. Situata e nxehtë politike në nivel qëndror, zbriti në nivel lokal, dhe kandidatët për kryetar komune më shumë u morrën me faktin se kush është legjitim e kush jo, kush është tradhëtar e kush patriot se sa me faktin se çfarë do të veprojnë këta kandidatë për kryetarë komunash pasi të marrin detyrën.

Në qendër të vëmendjes ishte komuna e Çirit, ku u përplasën Izet Mexhiti e Bujar Osmani, duke siguruar fitoren Mexhiti, që për disa mandate ishte kryetar i kësaj komune. Në fakt, për Çairin thuajse projektet ishin të ngjashme, përveç një dallimi se si do të rregullohej bulevardi te “Çairçanka”. Mexhiti e mbështeste teorinë se duhet të zgjerohet rruga aktuale, për të cilin veçse më ka një plan të aprovuar dhe ka buxhet të ndarë, ndërsa Osmani planifikonte të bënte një shesh që do i bashkonte dy lagjet Gazi Babë dhe Seravë, ndërsa komunikacioni do të zhvillohej nën këtë shesh. Qytetarët zgjodhën Mexhitin dhe në këtë formë atij i bie barra kryesore për të zgjidhur telashet e shumta të qytetarëve, shkruan “Zhurnal.mk”.

Në Çashkë për herë të parë u zgjodh një kryetar shqiptarë, ndërsa në Kërçovë për herë të parë humb kryetari shqiptarë dhe fitues del një kandidat maqedonas i VMRO DPMNE-së.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, duket se të gjithë heshtën. U bë një zhurmë e madhe prej 72 orëve për pastrimin e qytetit dhe asgjë më shumë nuk ndodhi. Partitë politike u fokusuan në katër komunat ku u përsëritën zgjedhjet dhe duket se pas mbylljes së tyre, kanë harruar se çfarë kishin premtuar.

Shumë prej kryetarëve u arsyetuan me pushimet e fundviti, me miratimin e buxheteve, shqyrtimin e tyre e disa prej tyre duke i mësuar zyret dhe korridoret e reja të komunës.

Fatkeqësisht bora e paktë që kishte rënë i zuri në befasi disa komuna, por me “kërcënim” nga Qeveria dhe me zbutjen e kohës, shpejt e shpejt u pastruan edhe këta rrugë.

Ditë më parë kryeytari i Çairit, Izet Mexhiti njoftoi se shumë projekte janë gati për të filluar po që presin të përmirësohet moti dhe të fillojnë me punë.

Në nivel të qytetit të Shkupit, nga qeveria u njoftua se do ketë autobusë të rinj, por edhe ato ndoshta presin “përmirësimin e motit”. Mjafton për qytetarët që dimrit të ecin në këmbë nëpër shi e nëpër borë, dhe kur të rregullohet koha të fillojnë me këmbë të mbarë në autobusët e rinj.

Kryetarët e rinj të komunave duhet të kuptojnë një gjë: ata janë “baballarët”e komunave, ata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve për plot 24 orë, ata duhet t’i përveshin krahët e të dalin në terren vazhdimisht e të shohin se çfarë halle kanë qytetarët.

Fatkeqësisht, ende shumë prej tyre janë strukur nëpër zyra dhe nuk dinë se çfarë barre të madhe kanë marrë mbi supe. Prandaj, krejt në fund, kryetarët e rinj, duhet sa më parë të zgjohen nga gjumi dimëror i “arushave polare”, e t’i përveshin krahët në realizimin e projekteve të premtuara!, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More