Editorial / Maqedonia e Veriut të marrë shembull nga Kosova se si respektohen të drejtat e çdo bashkësie etnike!

Nga R.ZH
3,555 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 qershor, Zhurnal.mk – Sipas rezultateve zyrtare të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2024 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë janë regjistruar zyrtarisht rreth 36,000 serbë, duke përbërë 2.3% të popullsisë totale rezidente, edhe pjesa më e madhe e serbëve në katër komunat veriore (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut) e bojkotuan regjistrimin e vitit 2024. Megjithatë edhe nëse vlerësojmë se janë 5% serb në Kosovë, krahasimi i të drejtave që kanë ata me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut apo ata që jetojnë në Luginën e Preshëvës janë shumë të mëdha. Prandaj, nëse të drejtat duhet të jenë të barabarta, atëherë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë mbi 30 % të popullsisë, janë dukshëm më të vogla. Prandaj, Maqedonia e Veriut duhet të marrë shembull nga vendet fqinje në këtë drejtim, shkruan “Zhurnal.mk”.

Serbët në Kosovë me të drejta më të avancuara në Evropë

Serbët në Kosovë gëzojnë të drejta të gjera kushtetuese dhe ligjore, të cilat vlerësohen si ndër më të avancuarat në Evropë për mbrojtjen e pakicave. Këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (bazuar në Planin e Ahtisaarit) dhe mbulojnë përfaqësimin politik, gjuhën, arsimin dhe vetëmenaxhimin lokal.

Komuniteti serb ka të garantuar të paktën 10 vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës (nga 120 gjithsej), pavarësisht numrit të votave që fitojnë. Ata kanë të siguruar të paktën një post ministror dhe dy poste të zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës. Çdo ndryshim kushtetues ose ligj me interes vital kërkon shumicën e dyfishtë—që do të thotë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë.
Kosova ka 10 komuna me shumicë serbe, të cilat gëzojnë shkallë të lartë të autonomisë lokale. Këto komuna kanë të drejta të shtuara në menaxhimin e arsimit dytësor, shëndetësisë parësore dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e fetare lokale.

Ligji u lejon atyre të marrin financim transparent direkt nga autoritetet në Beograd për fusha si arsimi dhe shëndetësia.

Gjuha serbe përdoret në të gjithë Kosovën dhe jo e cunguar si gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut

Gjuha serbe në Kosovë ka statusin e gjuhës zyrtare në nivel kombëtar dhe është plotësisht e barabartë me gjuhën shqipe. Kjo e drejtë garantohet me Nenin 5 të Kushtetutës së Kosovës dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Çdo dokument zyrtar, ligj, rregullore apo vendim i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës duhet të publikohet njëkohësisht në gjuhën shqipe dhe serbe. Çdo qytetar serb ka të drejtë të zhvillojë procedurat gjyqësore në gjuhën e tij dhe të marrë dokumentet (si letërnjoftimi, pasaporta, patentë shoferi) në gjuhën serbe. Në çdo komunë ku një komunitet përbën të paktën 5% të popullsisë totale, gjuha e tij bëhet automatikisht gjuhë zyrtare në atë komunë.

Tabelat e institucioneve publike dhe shenjat e komunikacionit (emrat e qyteteve dhe rrugëve) në nivel kombëtar duhet të jenë të shkruara në të dyja gjuhët.

Nga ana tjetër, Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është gjuhë zyrtare në nivel kombëtar përveç në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky status garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut (pas Marrëveshjes së Ohrit) dhe është saktësuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të miratuar në vitin 2018.

Gjuha shqipe përdoret zyrtarisht në Kuvend (parlament), Qeveri, ministri, gjykata, prokurori dhe në agjenci të tjera shtetërore. Deputetët shqiptarë kanë të drejtë të flasin dhe të udhëheqin seancat në gjuhën shqipe. Të gjitha ligjet, procesverbalet dhe materialet e tjera botohen edhe në shqip.

Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në të gjitha komunat ku komuniteti shqiptar përbën mbi 20% të popullsisë totale të asaj komune. Çdo qytetar ka të drejtë të marrë letërnjoftimin, pasaportën dhe dokumentet e tjera personale të shkruara edhe në gjuhën shqipe.
Emrat e institucioneve shtetërore, shenjat e komunikacionit, uniformat e policisë, të ushtrisë dhe të punonjësve të shëndetësisë në zonat ku shqiptarët janë mbi 20% shkruhen edhe në gjuhën shqipe.

Megjithatë, gjuha maqedonase mbetet e vetmja gjuhë zyrtare për përfaqësimin e shtetit jashtë vendit, në diplomaci dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përdorimi i gjuhës shqipe në kartëmonedha dhe në uniformat e ushtrisë në nivel kombëtar ende nuk implementohet dhe ka qenë subjekt i interpretimeve të ndryshme ligjore dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kohëve të fundit, opinioni maqedonas ka krijuar një bindje se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë të drejta që janë të tepruara, por nëse krahasohen të drejtat që kanë serbët në Kosovë me ata që kanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, është dukshëm e qartë se shqiptarët me mbi 30% të popullsisë në Maqedoninë e Veriut kanë më pak të drejta. Sidomos kjo po vërehet në përdorimin e gjuhës shqipe, e cila vazhdimisht është temë e cila nxit tensione dhe përplasje midis palëve të ndryshme. Andaj, qeveria dhe opinionbërësit maqedonas, duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të bëjnë krahasime të thjeshta, e të marrin shembull nga vendet fqinje, siç është Kosova, se të drejtat janë një vlerë e shtuar e shoqërisë dhe jo një kërcënim, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër