Shkup, 9 qershor, Zhurnal.mk – Autostrada Kërçovë–Ohër, në pjesën nga fshati Izvor deri në Vrbjani, me të gjitha tunelët, pritet të përfundojë dhe të vihet në funksion më së voni deri më 8 shtator, deklaroi sot për mediat kryeministri Hristijan Mickoski, raporton Meta.mk, transmeton Zhurnal.
“Jap një muaj rezervë, le të jetë tetori si afat përfundimtar. Ndërsa e gjithë trasa nga Kërçovë deri në Ivanin Dol, pres të vihet në përdorim në janar,” tha ai.
Pavarësisht huasë shtesë prej 180 milionë dollarësh, zgjatjes së ndërtimit për gjashtë vite dhe rritjes së vlerës së kontratës për 45 për qind, autostrada Kërçovë–Ohër ende nuk është ndërtuar. Kjo është investimi më i madh infrastrukturore me ndërtim disavjeçar në vend. Këtë e konstatua në shkurt 2024 edhe Kontrolli i Llogarive të Shtetit në raportin e auditimit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.
Sipas raportit të auditorëve, kjo autostradë është më e shtrenjta që po ndërtohet në vend, ku një kilometër deri në fund të vitit 2022 ka kushtuar rreth 9 milionë dollarë. Autostrada e dytë më e shtrenjtë është Shkup–Bllacë, ku për dy kilometra do të ndahen gati 6 milionë euro.
“Investimet për segmentin Kërçovë–Ohër arrijnë në 31.597.364 mijë denarë ose 57% të mjeteve materiale në përgatitje, ndërsa gjatësia e segmentit është 56,7 km, pra për ndërtimin e një kilometri deri në fund të vitit 2022 janë investuar 557.273 mijë denarë (afërsisht 9 milionë euro),” shkruajnë auditorët.
Në raportin e auditorëve thuhet se në tetor 2013, respektivisht në nëntor 2019, janë miratuar ligje me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut garanton përmbushjen e obligimeve për huatë e marra për financimin e projektit të ndërtimit të segmentit Kërçovë–Ohër.
“Në janar 2014 është nënshkruar marrëveshje për hua mes një banke nga R.P. e Kinës (huadhënës) dhe NP për Rrugët Shtetërore (huamarrës) në vlerë prej 505 milionë dollarësh, ndërsa në dhjetor 2019 është nënshkruar marrëveshje për hua shtesë në vlerë prej 180 milionë dollarësh, me ç’rast borxhi total për këtë projekt arrin në 685 milionë dollarë,” thuhet në raport.
