Editorial / Qeveria urgjentisht të startojë me ndërtimin e Qendrës së re Klinike!

nga Redaksia

Shkup, 29 janar – Ndërtimi i një qendre të re klinike ka qenë një premtim parazgjedhor i disa qeverive deri më tani. Thuajse 20 vite, secili premton se do zgjidhet njëherë e përgjithmonë ky problem i madh në shëndetësi, por ende kemi mbetur në vendnumëro. Është koha e fundit që kjo qeveri të fillojë me Qendrën e re Klinike, ndryshe edhe ky sistem kaq i rrënuar shëndetësor, do të shkatërrohet i tëri, shkruan “Zhurnal.mk”.

Qendra e re klinike është premtim parazgjedhor i çdo partie politike. Qytetarët i kanë besuar të gjithëve se njëherë e përgjithmonë do të ndërtojnë një spital dinjitoz, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve, i ngjashëm siç është në çdo shtet modern. Por, fatkeqësisht secila qeveri kur ka filluar seriozisht të mendojë për ndërtimin e kësaj qendre klinike, ka dështuar për shumë arsye. Disa qeveri kanë dështuar për shkak të procedurave administrative, të tjerë për shkak të parave e të fundit duket se po dështojnë për shkak të shumë ideve e kalkulimeve të shumta.

Nga ana tjetër, kaos i përditshëm mbretëron në parkingun e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Hapësira është shumë e ngushtë për mijëra pacientë dhe punonjës që hyjnë në klinika çdo ditë. Nervozizmi fillon në rrugë, ku formohen radhë automjetesh që presin të hyjnë, dhe brenda është e vështirë të gjesh një vend parkimi të lirë. Pasi pacientët marrin shërbimin mjekësor, ata përsëri detyrohen të presin në radhë për të paguar biletat e tyre, dhe më pas të gjejnë rrugën për të dalë nga parkingu, shkruan “Zhurnal.mk”.

Parkimi në këtë pjesë të Shkupit është një problem kronik që ka mbetur i pazgjidhur me kalimin e viteve. Në 10 vitet e fundit, janë ndërruar nëntë ministra të shëndetësisë: Imer Selmani, Bujar Osmani, Nikolla Todorov, Arben Taravari (dy mandate), Venko Filipçe, Bekim Sali, Fatmir Mexhiti, Ilir Demiri dhe Azir Aliu aktual. Të gjithë premtuan se do të zgjidhnin kaosin e parkimit, por problemi mbeti. Të gjithë premtuan se do të zgjidhin problemet në shëndetësi, por të gjithë dështuan. Të gjithë premtuan se do të ndërtojnë një Qendër të re Klinike, por askush nuk e bëri. Vdiqën me mijëra pacientë nëpër këto spitale, në kushte të mjerueshme.

Parkimi në Qendrën Klinike mbetet një nga problemet më të mëdha për pacientët dhe punonjësit, dhe me masat e shpallura së fundmi, ministria e shëndetësisë ka premtuar se është e përkushtuar për të vendosur rregull dhe një sistem funksional.

Ndërkohë, qeveria aktuale ka njoftuar se po shqyrtohen tre mundësi të mundshme për Qendrën e re Klinike, e cila është karakterizuar si një nga projektet kryesore në fazën e parë të reformës në kujdesin shëndetësor.

E para është për rindërtimin dhe modernizimin e kampusit ekzistues klinik, e dyta është ndërtimi i një qendre klinike krejtësisht të re në një vendndodhje të re dhe e treta është transferimi i të gjithë kompleksit në hapësirën e Qendrës Spitalore Qendrore “8 Shtatori”.

Por, duket se çështja e Qendrës së re Klinike në Shkup, do të adresohet pasi të fillojnë proceset për ndërtimin e spitalit klinik në Shtip, Fakultetit të Mjekësisë dhe Konviktit të Studentëve, pastaj spitalit në Kërçovë me aktivitete të zgjeruara dhe rindërtimit të Spitalit Klinik në Tetovë.

Qeveria vlerëson se vendndodhja e Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, ish-Spitali Ushtarak, është më e mira për një qendër të re klinike, veçanërisht për shkak të infrastrukturës së mirë të transportit. Spitali “8 shtatori” ka qasje në gaz dhe një infrastrukturë transporti jashtëzakonisht të mirë.

Kjo zgjidhje duket edhe më e lirë, pasi me konstruksionin financiar duhet të shihet se sa ndërhyrje do të bëhet në përmirësimin, modernizimin dhe numrin e shtretërve. Ekspertët po punojnë për kuadrin kohor dhe financiar dhe së shpejti duhet të tregojnë se ku duhet të bëhen investimet.

Krijimi i një qendre të re klinike jashtë asaj ekzistuese ka edhe kushte që duhen përmbushur, duke pasur parasysh se Fakulteti i Mjekësisë, Farmacisë dhe Stomatologjisë gjithashtu duhet të jenë pjesë e Qendrës Klinike.

Prandaj, Qeveria sa më parë të sjellë vendimin se ku do të investohet përfundimisht në një Qendër të re Klinike dhe mos të humbasë kohë si qeveritë e mëparshme. Qytetarët e kanë votuar dhe ia kanë dhënë besimin për të ndryshuar gjendjen shëndetësore. Është e qartë se nuk ka kohë për pritje, nuk ka kohë për të humbur, duhet urgjentisht të veprohet, shkruan “Zhurnal.mk.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More