Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Në buxhet mungojnë 900 milionë euro, ndërsa një miliardë euro shtesë mungojnë për pagesën e pensioneve, akuzoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe. Sipas tij, ribalanci i dytë i buxhetit është dëshmi e menaxhimit të dobët të financave publike nga Qeveria e Hristijan Mickoskit.
Filipçe paralajmëroi se po hapet çështja se nga cilat burime do të sigurohen mjetet për pagesën e pagave dhe pensioneve në periudhën e ardhshme.
Lideri i partisë opozitare vlerësoi se me ribalancin nuk sigurohen paga më të larta dhe standard më i mirë jetese, por shkurtohen investimet kapitale dhe krijohet hapësirë për huamarrje të reja.
Sipas të dhënave që ai paraqiti, me ribalancin e korrikut deficiti buxhetor ishte rritur për rreth shtatë miliardë denarë, me arsyetimin se mjetet do të dedikoheshin për investime kapitale, ndërsa tani investimet po zvogëlohen, kurse deficiti i rritur mbetet.
Filipçe theksoi gjithashtu se Qeveria po e ul projeksionin e të ardhurave për 5,3 miliardë denarë, përkatësisht nga 379,5 miliardë në rreth 374 miliardë denarë.
Ai paralajmëroi se borxhi publik, së bashku me borxhet e ndërmarrjeve publike, mund të arrijë në 12 miliardë euro.
Sipas pretendimeve të tij, për dy vjet e gjysmë borxhi i përgjithshëm i shtetit është rritur nga tetë në pothuajse 12 miliardë euro, pa ndier qytetarët ndonjë përmirësim të dukshëm të standardit jetësor.
Në fund, Filipçe njoftoi se LSDM-ja do të paraqesë amendamente për rritjen e pagës minimale, më shumë mjete për të rinjtë, rritje të subvencionit ushqimor për studentët dhe mbështetje më të madhe për bujqit, duke i bërë thirrje pushtetit që t’i mbështesë masat e propozuara.
