Fitorja e AKI-së në Gostivar dhe Vrapçisht “oksigjen” për opozitën shqiptare!

nga I.A

Shkup, 12 janar – Zgjedhjet lokale të përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht pasi nuk u arrit cenzusi më 19 tetor, prodhuan një situatë të qartë politike AKI ndonëse e goditur rëndë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, po rikthehet gradualisht në hartën politike si faktor relevant në kampin opozitar shqiptar. Për këtë kanë nevojë shqiptarët dhe VLEN-i më së shumti sepse një opozitë e fuqishme i nxit të punojnë më shumë e më mirë për shqiptarët, shkruan Zhurnal.

Zgjedhjet lokale përfunduan në tërësi, VLEN ka fituar bindshëm AKI ka ngel me pesë komuna – 

Fitorja e djeshme në këto dy komuna e ngriti AKI-në në pesë komuna të fituara në nivel vendi, përballë VLEN-it që aktualisht mban dhjetë. Edhe pse epërsia numerike e VLEN-it mbetet e qartë, dinamika politike ka ndryshuar. AKI ka arritur të ndalë trendin negativ dhe të dërgojë sinjal se nuk është një forcë në rënie të lirë, por një subjekt që ende gëzon mbështetje të konsiderueshme në terren, sidomos aty ku mobilizimi i elektoratit rezulton vendimtar.

Kjo fitore merr peshë edhe më të madhe në kontekstin e dobët të performancës së AKI-së në zgjedhjet e rregullta lokale, ku VLEN-i doli dukshëm në epërsi. Për këtë arsye, rezultati në Gostivar dhe Vrapçisht nuk duhet parë si rastësi, por si produkt i një opozite që po riorganizohet dhe po konsolidohet drejt bashkimit. Blloku opozitar shqiptar po lëviz drejt shkrirjes dhe koordinimit, duke e kuptuar se fragmentimi politik vetëm sa e dobëson përballë pushtetit.

Në anën tjetër, paradoksi politik qëndron te partitë në pushtet. VLEN, ndonëse fitues në numra, ende nuk po arrin të ndërtojë unitet të brendshëm dhe qartësi strategjike. Kjo mungesë kohezioni rrezikon ta zbehë kapitalin elektoral të fituar dhe ta dobësojë pozitën e tyre në raport me partnerin qeverisës maqedonas. Pa unitet politik, fuqia negociuese për çështjet thelbësore shqiptare mbetet e cunguar.

Thirrja e AKI-së për zgjedhje të parakohshme duhet parë si përpjekje për ta kapitalizuar këtë momentum politik dhe për ta testuar vullnetin real të elektoratit shqiptar në një moment të këtillë siç është ky tani. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme nuk janë qëllim në vetvete, por mjet për të prodhuar stabilitet politik dhe përfaqësim më legjitim.

Kujtojmë se, ajo që u duhet shqiptarëve nuk është thjesht rotacion pushteti, por ekuilibër politik funksional një opozitë e unifikuar dhe e fortë që korrigjon pushtetin, dhe parti në qeveri me unitet të plotë, të afta të jenë këmbëngulëse dhe të palëkundura ndaj partnerit qeverisës kur është fjala për interesin shqiptar. Pa këtë dyzim të shëndetshëm politik, fitoret lokale mbeten statistika, jo garanci për përparim real politik. Mbetet të shihet nëse vitin në të cilin kemi hyrë do të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare apo vetëm do të ngelet vetëm dëshirë e kërkesë opozitare. /Zhurnal.mk  

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More