Gara SHBA-Kinë për IA-në, “Microsoft” kërkon rregulla ndërkombëtare për sigurinë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Qumështi dhe lavatriçet i nënshtrohen më shumë rregullave të sigurisë sesa inteligjenca artificiale (IA), deklaroi sot presidenti i “Microsoft”, Brad Smith, duke bërë thirrje për vendosjen e rregullave të përbashkëta në nivel ndërkombëtar, për kontrollin e kësaj teknologjie, sipas BBC.

Sipas Smith, kompanitë duhet të kenë detyrime të qarta ligjore, për të garantuar sigurinë e sistemeve të IA-së, përfshirë njoftimin e personave të prekur, kur këto sisteme dalin jashtë kontrollit dhe shkaktojnë probleme.

Ai kërkoi gjithashtu që të përcaktohen rastet kur teknologjitë e reja, duhet t’u nënshtrohen kontrolleve nga ekspertë të pavarur përpara se të hidhen në përdorim.

“Për momentin, lavatriçja juaj i nënshtrohet më shumë rregullave të sigurisë sesa inteligjenca artificiale. Çdo kuti qumështi që shihni në supermarket duhet të përmbushë rregullat e sigurisë dhe t’u nënshtrohet kontrolleve”, tha Smith.

Kjo qasje ndryshon nga ajo e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kërkon që kompanitë e teknologjisë të vetërregullohen, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ruajnë avantazhin në garën me Kinën për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Thirrjet për vendosjen e ligjeve që kontrollojnë zhvillimin e kësaj teknologjie janë shtuar, pasi ekspertë të fushës kanë paralajmëruar për rreziqet që ajo mund të paraqesë për njerëzimin.

Ndërkohë, drejtuesit e kompanive të mëdha amerikane të IA-së, përfshirë “Anthropic”, “OpenAI” dhe “Google DeepMind”, kanë mbështetur idenë e ngadalësimit të zhvillimit të saj, ndërsa Trump ka kundërshtuar kufizime të tilla.

Në një intervistë për podcastin e BBC-së “Big Boss Interview”, Smith e cilësoi inteligjencën artificiale njëkohësisht si mjet dhe armë, duke theksuar se nevojitet ndërhyrje e shpejtë, për të vendosur rregulla të qarta që parandalojnë rreziqet e mundshme.

Mekanizma për ndalimin e IA-së në raste rreziku

Për të parandaluar situatat kur inteligjenca artificiale vepron në mënyrë të pakontrolluar, Smith propozoi që kompanitë të pajisen me mekanizma që mundësojnë ndërprerjen e menjëhershme të funksionimit të saj.

Këto sisteme njihen në industrinë e teknologjisë si “kill switches” dhe shërbejnë për të ndalur një teknologji në raste emergjente.

Përveç kësaj, ai kërkoi që kompanitë të kenë detyrimin ligjor, të hartojnë raporte për incidentet dhe të njoftojnë personat e prekur kur sistemet e tyre shkaktojnë probleme serioze.

Sipas tij, kontrolli i teknologjive të reja nga ekspertë të pavarur, duhet të jetë një tjetër masë për garantimin e sigurisë përpara se ato të publikohen.

“Ne dimë si ta bëjmë këtë për produkte të tjera. Duhet të përdorim njohuritë që kemi dhe të mendojmë se si t’i zbatojmë edhe ato për inteligjencën artificiale”, tha Smith.

Ai vlerësoi Britaninë e Madhe si një vend të përshtatshëm për të udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare në këtë drejtim, duke vënë në dukje ekspertizën e Institutit për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale, i krijuar fillimisht me emrin “Instituti për Sigurinë e IA-së”, gjatë qeverisë së ish-kryeministrit britanik Rishi Sunak.

Smith: Ka ardhur momenti për të vepruar

Pavarësisht dallimeve mes qëndrimeve të tij dhe atyre të Trump, Smith shprehu bindjen se qeveria amerikane mund të jetë e hapur ndaj rregullave të propozuara nga Britania e Madhe, më shumë sesa ndaj qasjes së Bashkimit Evropian.

Sipas tij, fakti që Britania e Madhe shihet ndryshe nga Bashkimi Evropian në qarqet politike të Uashingtonit, mund të ndihmojë në avancimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për sigurinë e IA-së.

“Kur shohim sisteme të inteligjencës artificiale që kanë dalë jashtë kontrollit njerëzor dhe modele kaq të fuqishme saqë rrezikojnë sigurinë kibernetike të botës, do të thosha se momenti për të vepruar ka ardhur”, deklaroi ai.

Siguria kibernetike lidhet me mbrojtjen e kompjuterëve, rrjeteve dhe të dhënave nga sulmet informatike dhe ndërhyrjet e paautorizuara.

Shqetësimi i Smith lidhet me mundësinë që sistemet e avancuara të IA-së, të përdoren ose të veprojnë në mënyra që vënë në rrezik këto sisteme.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet vendeve, duke theksuar se “Microsoft” shpreson të luajë një rol në hartimin e rregullave të reja, së bashku me Britaninë e Madhe.

Ndërkohë, në fund të shtatorit, Trump priti në Shtëpinë e Bardhë drejtuesit e kompanive të mëdha të teknologjisë, përfshirë “OpenAI”, “Anthropic”, “Nvidia”, “SpaceX”, “Meta” dhe “Google”.

Gjatë takimit, drejtuesit nënshkruan një dokument që përmban angazhime morale për mënyrën e zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, por që nuk përbën domosdoshmërisht detyrim ligjor.

Kompanitë u angazhuan të bashkëpunojnë me auditues të pavarur, të cilët do të kontrollojnë nëse sistemet e tyre funksionojnë siç duhet dhe nëse shmangin ndërhyrjet e paqëllimshme ose të paautorizuara në sistemet teknologjike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër