Kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, nuk do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e fundit ndërkombëtare të këtij viti, për shkak të një dëmtimi në pulpën e këmbës.
Mesfushori i Sunderlandit u lëndua të dielën gjatë nxehjes para ndeshjes kundër Chelseat, ndërsa të hënën iu nënshtrua një rezonance magnetike për të vlerësuar shkallën e lëndimit. Federata Zvicerane e Futbollit konfirmoi se Xhaka nuk do t’i bashkohet kampit të përfaqësueses për shkak të këtij dëmtimi.
Përveç Xhakës, Zvicra do të jetë pa shërbimet edhe të Miro Muheimit. Mbrojtësi i Hamburgut ka probleme muskulore dhe për këtë arsye do t’i humbasë dy ndeshjet e fundit të vitit me ekipin kombëtar.
Në vend të tij, përzgjedhësi Murat Yakin ka ftuar mbrojtësin e Young Boys, Isaac Schmidt.
Ndërkohë, ka lajme më pozitive për Johan Manzambin, për të cilin tifozët zviceranë mund të marrin frymë lirisht, pasi situata e tij nuk paraqitet shqetësuese.
