Shkup, 19 tetor, Zhurnal.mk – Komuna e Gostivarit ka nisur një aksion për evidentimin dhe menaxhimin e veturave të avarisuara që janë lënë në hapësirat publike, duke synuar lirimin e parkingjeve dhe përmirësimin e rendit në qytet.
Aksioni po realizohet nga Inspektorati Komunal, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike „Parking dhe Gjelbërim“. Përmes këtij aktiviteti, autoritetet komunale synojnë të identifikojnë veturat e dëmtuara që zënë hapësira publike dhe pengojnë shfrytëzimin e tyre nga qytetarët.
Komuna u bën apel pronarëve që t’i largojnë veturat e avarisuara, në mënyrë që hapësirat publike të shfrytëzohen më mirë dhe të lirohen vende shtesë për parkim.
Nga autoritetet komunale theksojnë se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për ruajtjen e hapësirave të përbashkëta dhe krijimin e një mjedisi më të rregullt e funksional.
Aksioni synon të kontribuojë në përmirësimin e rendit urban dhe në shfrytëzimin më efikas të parkingjeve në Gostivar.
