Guvernatori Ismaili mirëpret Misionin e Asistencës Teknike të FMN-së për forcimin e modelimit dhe parashikimit makroekonomik

Nga B.M
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me ekipin e tij, mirëpriti ekipin e misionit të asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga Yunhui Zhao nga selia qendrore e FMN-së.

Misioni përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejmë të kapaciteteve të BQK-së në parashikimin makroekonomik dhe analizën e politikave, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Projekti i asistencës teknike pason diskutimet e mëhershme të zhvilluara gjatë Takimeve Vjetore në Washington DC, ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) të FMN-së (përfshirë menaxhmentin e lartë të ICD-së), si dhe kërkesën formale të BQK-së për këtë mbështetje dhe misionin hyrës të realizuar në shtator 2025.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e njoftoi ekipin e FMN-së mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe për reformat e ndërmarra nga BQK-ja me qëllim forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e efektivitetit të politikave.

Ai po ashtu paraqiti pritshmëritë e institucionit nga ky angazhim, duke theksuar rëndësinë e tij për forcimin e kapaciteteve analitike dhe mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në evidencë.

Guvernatori Ismaili theksoi se asistenca teknike do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme të brendshme dhe në rritjen e mëtejme të cilësisë së kornizës së politikave makroekonomike, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Korniza analitike që do të zhvillohet do të forcojë kapacitetet analitike dhe parashikuese të BQK-së, përfshirë zhvillimin e skenarëve për diskutime të politikave dhe testimet e stresit makro-financiar, duke mbështetur kështu procesin e politikëbërjes së BQK-së.

Zhao prezantoi objektivat e dakorduara të projektit shumëvjeçar të asistencës teknike, i cili synon kryesisht krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme analitike për të mundësuar parashikime të besueshme dhe analiza skenarësh që informojnë procesin e vendimmarrjes.

Në përfundim, BQK-ja dhe ekipi i FMN-së rikonfirmuan angazhimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për sigurimin e zbatimit të suksesshëm të këtij projekti të rëndësishëm.

BQK-ja vlerëson lart mbështetjen e FMN-së dhe njeh vlerën e konsiderueshme të projekteve të asistencës teknike në forcimin e kapaciteteve institucionale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër