Bejrut, 04 qershor, Zhurnal.mk – Hezbollahu ka refuzuar marrëveshjen e fundit të armëpushimit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, mes Izraelit dhe qeverisë libaneze, duke kërkuar tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Libani, raportoi AP.
Lideri i Hezbollahut, Naim Kassem, deklaroi se kërkesa për largimin e luftëtarëve të grupit nga jugu i Libanit do të përbënte një “dorëzim dhe humbje”, duke theksuar se rezistenca do të vazhdojë për sa kohë që ekziston pushtimi izraelit.
Ndërkohë, sulmet izraelite shkaktuan sot të paktën katër të vrarë në Liban, ndërsa një paqeruajtës serb i misionit të OKB-së (UNIFIL) humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën nga një predhë mortaje pranë qytetit Marjayoun.
Marrëveshja e armëpushimit parashikon që, ushtria libaneze të marrë kontrollin e zonave të sigurisë në jug të vendit, ndërsa Hezbollahu të mos jetë i pranishëm në këto territore.
Megjithatë, grupi ka deklaruar se nuk do ta respektojë marrëveshjen, pa ndalimin e sulmeve izraelite dhe nisjen e tërheqjes së trupave.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun e cilësoi marrëveshjen si “mundësinë e fundit” për një armëpushim të plotë dhe të qëndrueshëm.
Sipas të dhënave të fundit, Izraeli kontrollon rreth një të pestën e territorit libanez, në jug të vendit.
Konflikti ka shkaktuar mbi 3 500 viktima në Liban dhe ka zhvendosur më shumë se 1,2 milionë banorë.
Edhe Irani ka kërkuar një armëpushim të qëndrueshëm në Liban dhe tërheqjen e forcave izraelite, ndërsa tensionet rajonale vazhdojnë të ndikojnë në sigurinë dhe ekonominë globale.
