Inspektorati i Tregut i RMV-së po kontrollon nëse tregtarët e respektojnë vendimin për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore

Nga D V
605 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 gusht, Zhurnal.mk – Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar nëse tregtarët po respektojnë masën e Qeverisë për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore.

Sipas vendimit të Qeverisë, tregtarët me shumicë janë të detyruar t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10 për qind, ndërsa tregtarët me pakicë për të paktën 15 për qind. Çmimet e ulura duhet të jenë qartë të shënuara.

“Në përputhje me dispozitat e vendimit, çmimet më të larta të produkteve përcaktohen në nivelin e çmimeve (me përjashtim të çmimeve të shitjeve promocionale) që kanë qenë në fuqi më 1 qershor 2026 në tregtinë me shumicë, të cilat ulen për të paktën 10 për qind, si dhe në tregtinë me pakicë (dyqane të specializuara për shitjen e mjeteve shkollore, dyqane të pajisjeve sportive që shesin çanta shpine dhe çanta, si dhe tregtarë me pakicë që në asortimentin e tyre shesin edhe mjete shkollore), ku çmimet ulen për të paktën 15 për qind”, sqarojnë nga ISHT.

Për produktet e blera pas 1 qershorit 2026, sqarojnë nga Inspektorati i Tregut, çmimi më i lartë do të përcaktohet sipas çmimit të regjistruar të blerjes, por me ulje të detyrueshme – në tregtinë me shumicë për të paktën 10 për qind, ndërsa në tregtinë me pakicë për të paktën 15 për qind.

“Ekipet e ISHT-së gjatë periudhës së ardhshme do të kontrollojnë subjektet juridike në të gjithë territorin e shtetit dhe do të veprojnë në përputhje me Ligjin për Tregtinë dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Gjobat variojnë nga 500 deri në 10.000 euro, në varësi të madhësisë së subjektit, ndërsa për mosrespektim të plotë të vendimit parashihet masa – ndalim i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarisë për 15 ditë”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Nga ISHT u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë parregullsitë ose mosrespektimin e vendimit në numrin 191 ose përmes faqes zyrtare www.dpi.gov.mk.

Masa hyri në fuqi më 25 gusht dhe do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Përveç çmimeve të ulura, tregtarët janë të detyruar që në raftet me mjete shkollore të vendosin edhe mbishkrimin “më pak shpenzime, më shumë për ty”, si dhe të shënojnë çmimin e mëparshëm të shitjes, mbi të cilin është përcaktuar ulja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër