IPK nis hetim për veprimet e Policisë gjatë protestës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim preliminar për të vlerësuar veprimet e zyrtarëve policorë gjatë menaxhimit të protestës së zhvilluar të hënën mbrëma pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit të IPK-së, institucioni ka monitoruar nga afër angazhimin e Policisë së Kosovës, mënyrën e ndërveprimit me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.

Për monitorimin e situatës, IPK ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarë të cilët kanë përcjellë zhvillimet në terren dhe mënyrën se si është menaxhuar protesta.

Ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar edhe një ankesë të përcjellë përmes Policisë së Kosovës. Në ankesë, një qytetar pretendon se gjatë protestës ka pasur tejkalim të autorizimeve policore në përdorimin e forcës.

IPK ka bërë të ditur se, përveç ankesës, gjatë vlerësimit do të marrë parasysh edhe të dhënat e mbledhura gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante.

“Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës”, thuhet në komunikatën e institucionit.

Nga IPK kanë deklaruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e rastit. Pas përfundimit të hetimit preliminar, bazuar në gjetjet e tij, do të vendoset nëse do të ketë nevojë për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër