Irani miraton ligjin që ndalon intervistat me mediet që i konsideron “armiqësore”

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Teheran, 06 tetor, Zhurnal.mk – Parlamenti i Iranit ka miratuar një ligj që ndalon qytetarët iranianë të japin intervista ose të marrin pjesë në diskutime me media apo persona të medias, që shteti i konsideron “armiqësorë”, raportoi sot agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA.

Deputetët e miratuan këtë ndalim si pjesë të një projektligji kundër ndikimit të huaj, gjatë një seance të parlamentit.

Sipas ligjit të ri, qytetarët iranianë nuk do të lejohen të marrin pjesë në intervista, debate apo diskutime me televizione, radio, faqe interneti ose llogari personale në rrjetet sociale, që Agjencia e Inteligjencës së Iranit i ka shpallur zyrtarisht “armiqësore”.

Ndalimi do të zbatohet edhe për media të huaja që janë në pronësi, drejtohen ose financohen nga qeveri, që Irani i konsideron armiqësore, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Izraeli.

Ligji do të zbatohet për të gjithë shtetasit iranianë, si ata që jetojnë brenda Iranit, ashtu edhe ata që jetojnë jashtë vendit. Ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe autoritetet qeveritare do të përjashtohen nga ky ndalim.

Personat që shkelin ligjin, do të përballen me dënime të kategorisë së gjashtë, sipas Kodit Penal Islamik të Iranit. Këto mund të përfshijnë gjashtë muaj deri në dy vjet burg, gjoba, goditje me kamxhik sipas vendimit të gjykatës, ose heqjen e disa të drejtave sociale dhe civile.

Qeveria iraniane argumentoi se disa media veprojnë si mjete të shërbimeve të inteligjencës së vendeve armiqësore dhe se bashkëpunimi me këto media përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Megjithatë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar këtë masë, duke thënë se ajo është një përpjekje për të kufizuar aksesin e qytetarëve në media të pavarura dhe për të penguar raportimin mbi zhvillimet që lidhen me luftërat dhe konfliktet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër