Kalimi i hekurudhës në Vaksincë përballë rrezikut për jetën, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente

nga Xh M

Likovë, 11 janar – Mungesa e rampave dhe sinjalizimit mbi kalimin hekurudhor në Vaksincë të Likovës ku kalojnë veturat, ka ngritur alarmin te banorët për rrezikun që u kanoset. Derisa autoritetet nuk kanë gjetur zgjidhje, qytetarët përballen me frikë gjatë kalimit. Ndërmarrja e Hekurudhave njoftoi se të hënën do të përgjigjet për problemin.

Banorët e fshatit Vaksincë, në Komunën e Likovës për Portalb.mk shprehen të revoltuar për mungesën e rampave dhe sinjalizimit paralajmërues në kalimin hekurudhor që ndodhet në dalje të fshatit, duke theksuar se kjo situatë paraqet një rrezik të madh për jetën e tyre.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për të eliminuar këtë rrezik. Rruga mbi këtë hekurudhë frekuentohet dhe lidh fshatin Vaksincë, dhe Llojan të Komunës së Likovës me Kumanovën.

Një banor i fshatit Vaksincë theksoi se rampa dhe sinjalizuesit janë jashtë funksionit prej më shumë se dy vitesh.

“Ky problem nuk është i ri. Rampa dhe sinjalizuesit paralajmërues nuk funksionojnë prej më shumë se dy vitesh, dhe çdo ditë kalimi hekurudhor paraqet një rrezik të madh për ne dhe fëmijët tanë. Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të marrin masat për të garantuar sigurinë tonë gjatë kalimit hekurudhor”, tha një banor.

Një banore tjetër tregoi për një përvojë të rrezikshme dhe kërkoi ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse për të parandaluar fatkeqësi.

“Kam pasur rastin që gjatë kalimit në kalimin hekurudhor, treni kaloi dhe shoferi më dha sinjal të kaloj më shpejt. Fatmirësisht, e kalova dhe shpëtova. Kërkoj urgjentisht që të bëhet rregullimi i këtij kalimi, pasi situata është shumë e rrezikshme dhe mund të sjellë edhe pasoja fatale”, tha një banore.

Ndërsa një banor tjetër u shpreh i zhgënjyer nga mosveprimi i institucioneve.

“Në vendin tonë, institucionet kujtohen për ne vetëm kur ndodh ndonjë aksident, por edhe atëherë nuk veprojnë. Kjo është turp për një shtet që nuk mbron jetën e qytetarëve të vet. Jemi të lodhur nga premtimet boshe para zgjedhjeve, vizitat e rrejshme dhe mungesa totale e veprimit për infrastrukturën që na rrezikon çdo ditë”, tha një banor.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More