Prilep, 25 qershor Zhurnal.mk – NJPB Prilep paraqiti kallëzim penal ndaj G.K. (46) dhe L.K. (54), të dy nga Prilepi, për vepër të vazhduar penale lidhur me veprat penale “keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, “falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe “falsifikimi ose shkatërrimi i librave protokollarë”, si dhe kundër një personi juridik nga Prilepi për vepër të vazhduar penale lidhur me “falsifikimin ose shkatërimin e librave protokollarë”.
I denoncuari i parë, në cilësinë e drejtorit financiar në SHA ,,Kombinati i Duhanit – Prilep”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autorizimet e tij zyrtare, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror për vete, për të denoncuarin e dytë dhe për personin juridik ku i denoncuari i dytë ishte menaxher, në periudhën nga viti 2021 deri në fund të vitit 2024, në marrëveshje me të denoncuarin e dytë, ka pranuar fatura/letërpërcjellëse me përmbajtje të pavërtetë nga personi juridik nga Prilepi – të përgatitura dhe të vulosura nga i denoncuari i dytë – për shërbime kinse të kryera, pa nënshkrim për pranimin e shërbimit nga punonjësit e SHA ,,Kombinati i Duhanit – Prilep”, i ka urdhëruar punonjësit e kontabilitetit që këto dokumente t’i evidentojnë si detyrime në evidencën kontabël të SHA ,,Kombinati i Duhanit – Prilep’, pas çka i ka tërhequr nga kontabiliteti i shoqërisë dhe i ka miratuar për pagesë, edhe pse shërbimet e paraqitura nuk ishin kryer dhe nevoja për to nuk ishte regjistruar në sistemin e brendshëm të porosive të SHA ,,Kombinati i Duhanit – Prilep”.
Si plotësim, duke filluar nga data 31.05.2023, i denoncuari i parë ka realizuar pagesat e faturave kontestuese përmes një llogarie të shoqërisë në të cilën ai ishte nënshkruesi i vetëm. Sipas statutit të shoqërisë, kjo llogari dhe kjo mënyrë autorizimi me një nënshkrues të vetëm ishin të parashikuara vetëm për situata emergjente.
Në këtë mënyrë, ai ka realizuar pagesa të kundërligjshme në vlerë totale prej 1.439.573 denarësh në dobi të personit juridik nga Prilepi – nga të cilat vetëm përmes llogarisë ku ishte caktuar si nënshkrues i vetëm, duke filluar nga data 31.05.2023, sipas faturave kontestuese ka realizuar pagesë totale prej 874.540 denarësh.
