“Mos na mbyllni shkollën” – Banorët e Kosturnikut ngrenë zërin kundër vendimit të mundshëm

Nga Xh M
976 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 25 qershor Zhurnal.mk – Të shqetësuar nga deklaratat e ministres së Arsimit se disa shkolla mund të mbyllen për shkak të numrit të ulët të nxënësve, banorët e fshatit Kosturnik në Kumanovë, nisen një peticion kundër mbylljes së shkollës në fshatin e tyre.

Edhe pse në shkollën fillore periferike të Kosturnikut mësojnë vetëm nëntë nxënës shqiptarë nga klasa e parë deri në të pestën, banorët kundërshtojnë mbylljen e saj. Një nënë në protestë tha se do të ishte e padrejtë që vajza e saj, e cila regjistrohet në klasë të parë, të udhëtojë disa kilometra vetëm për shkollim kur kushtet në shkollën e fshatit janë të mira.

“Vajza e vogël vitin që vjen fillon në klasë të parë, vajza e madhe është klasa e katërt dhe për mua si nënë një vajzë sa kjo e vogël, gjashtë vjeçare të udhëtoje për në klasë të parë në Kumanovë disa kilometra nga këtu. Jemi sot në protestë për shkak të asaj që duan ta mbyllin shkollën tonë. Jemi kundër kësaj”, tha Lindita Azemi, Qytetare.

Banorët thonë se ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar për mbylljen e shkollës së fshatit Kosturnik, por druajnë se për shkak të numrit të ulët të nxënësve kjo mund të ndodhë në shtator.

”Me mbylljen e kësaj shkolle nuk mbyllët vetëm objekti si konstruksion që e kemi ndërtuar ne banorët me kontributin tonë dhe donacionet që ia duan të mirën arsimit por mbyllet edhe një vatër e arsimit dhe kulturës. Me këtë në periudhë afatgjate stimulohet eksodusi lokal i banorëve të fshatit”, tha Valdrin Qerimi, Qytetar.

Në shkollën periferike të fshatit Kosturnik nga klasa e parë deri në të pestën ka vetëm nëntë nxënës. Pas klasës së pestë, nxënësit udhëtojnë për në qytetin e Kumanovës në shkollën fillore Bajram Shabani për të ndjekur mësimin në gjuhen shqipe. Në klasë të parë në fshatin Kosturnik këtë vit është regjistruar vetëm një nxënës ndërsa vitin e ardhshëm pritet të regjistrohen katër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër