Shkup, 3 korrik, Zhurnal.mk – Departamenti i Punëve të Brendshme në Koçan sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Koçan kundër tetë personave, për dyshimin se kanë kryer veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Siç njoftoi MPB, të kallëzuar janë S.Š.S. (53) nga Makedonski Brod, S.Gj. (59) nga Shkupi, si dhe Z.M. (64), S.Z. (61), T.K. (42), N.D. (43), G.P. (41) dhe M.Z.S. (44), të gjithë nga Koçani. Ata, si persona zyrtarë të punësuar në Inspektoratin Shtetëror të Punës, dyshohen se në periudhën nga viti 2022 deri më 16 mars 2025 nuk i kanë kryer me ndërgjegje detyrat e tyre zyrtare.
Sipas MPB‑së, edhe pse kanë qenë të detyruar ligjërisht të kryejnë mbikëqyrje inspektuese, të kallëzuarit nuk kanë hapur asnjë procedurë zyrtare për kontrollin e një objekti hotelier në Koçan, i cili për 13 vite ka qenë i vetmi objekt i këtij lloji në territorin e komunës.
Me këtë, siç thuhet, nuk e kanë penguar funksionimin e paligjshëm të objektit dhe në mënyrë të vazhdueshme i kanë ekspozuar punonjësit e angazhuar ndaj rrezikut, për shkak të kushteve të paprovuara lidhur me të drejtat e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë.
MPB thekson se në këtë mënyrë i kanë mundësuar objektit hotelier të vazhdojë në mënyrë të paligjshme ushtrimin e veprimtarisë, duke realizuar përfitim të kundërligjshëm në vlerë prej 1.255.977 denarësh.
