Tetovë, 13 shkurt – Sot u realizua një vizitë në Shkollën Fillore Komunale “Përparimi” në Reçicë të Madhe, ku nga afër u panë investimet e fundit të bëra në këtë institucion arsimor. Gjatë kësaj periudhe janë renovuar disa klasa, përfshirë edhe shtrimin e pllakave të reja, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Këto ndërhyrje janë pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për krijimin e një ambienti më të sigurt, më funksional dhe më të përshtatshëm për zhvillimin e procesit mësimor.
Brenda këtij viti janë planifikuar edhe punime të tjera në shkollat e komunës, duke pasur parasysh se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore. Investimi në infrastrukturën shkollore është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e qytetit dhe në përgatitjen cilësore të gjeneratave të reja.
Komuna e Tetovës do të vazhdojë të mbështesë institucionet arsimore, duke përkrahur çdo projekt që kontribuon në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin arsimor.

