Jotova: Deri në qershor të zgjidhet çështja nëse Maqedonia dëshiron BE-në

Nga B.M
581 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sofje, 13 shkurt – Presidentja në detyrë e Bullgarisë, Iliana Iotova, deklaroi se Sofja është e shqetësuar nga informacionet se Maqedonia e Veriut po shqyrton mënyra alternative për hapjen e kapitujve të tjerë në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në vend që të fillojë me klasterin e parë që lidhet me të drejtat e njeriut.

Sipas saj, pikërisht klasteri i parë përbën bazën e gjithë procesit negociues dhe Bullgaria nuk do të pranojë anashkalimin apo shtyrjen e tij.

“Maqedonia e Veriut të mos mashtrohet se ka rrugë më të shkurtër; deri në qershor duhet të zgjidhet çështja nëse ende dëshiron të jetë pjesë e BE-së”, deklaroi Iotova.

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ajo realizoi takim me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, me të cilin bisedoi për zgjerimin e Bashkimit Evropian, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin bullgar lidhur me procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut.

Iotova përsëriti se pa ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe pa përfshirjen e bullgarëve si pjesë e popujve në shtet, nuk do të ketë përparim në procesin e integrimit evropian. Sipas saj, këto kushte janë në përputhje me kriteret evropiane dhe janë pjesë e kornizës së dakorduar.

Ajo theksoi se deri në qershor, me angazhimin e Bullgarisë dhe partnerëve evropianë, duhet të gjendet një zgjidhje nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fund, Iotova shtoi se Bullgaria do të vazhdojë të mbrojë fuqishëm interesat e saj kombëtare brenda institucioneve evropiane dhe në NATO, duke theksuar se Evropa duhet të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë dhe të ardhmen e rajonit, sidomos duke pasur parasysh rolin e Bullgarisë si kufi i jashtëm i BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër