Katër mandate të garantuara për shqiptarët në Malin e Zi

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Podgoricë, 22 tetor Zhurnal.mk – Shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë katër mandate të garantuara në Parlament, si mënyrë për të siguruar një përfaqësim më të drejtë politik. Deputeti i Forumit Shqiptar dhe nënkryetari i Kuvendit, Nikola Camaj, ka theksuar se kjo kërkesë nuk përbën kusht për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese apo të ligjeve që lidhen me integrimin evropian.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi, Camaj deklaroi se do të angazhohet për garantimin e këtyre mandateve, duke e konsideruar çështjen si një të drejtë të komunitetit shqiptar.

“Pa asnjë kushtëzim, pakicat e kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën mënyrë, ne ofrojmë mbështetje të plotë dhe pa kushte për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Sipas Camajt, rregullat aktuale zgjedhore nuk garantojnë përfaqësim të drejtë për komunitetet pakicë, ndërsa shqiptarët janë veçanërisht të prekur nga kjo situatë.

Ai kujtoi se garantimi i mandateve është diskutuar që në krijimin e shumicës aktuale parlamentare. Për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor ishte ngritur edhe një komision i posaçëm, por puna e tij u ndërpre pas largimit të opozitës.

Camaj kërkoi që të gjitha forcat politike të marrin përgjegjësi për përmirësimin e pozitës së pakicave dhe respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Ai nënvizoi se kërkesa për katër mandate nuk synon pazare politike, por përfaqësim të barabartë në institucione.

Sipas tij, rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të pakicave dhe mundësi të barabarta për çdo qytetar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër