KDI: Kuvendi duhet të konstituohet deri nesër, negociatat politike nuk e pezullojnë afatin kushtetues

Nga D. V.
450 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua në seancën e sotme, ndonëse ajo u mbajt pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi.

Në një reagim, KDI vlerëson se mosushtrimi i së drejtës kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve, për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, pamundësoi vazhdimin e procedurës dhe çoi në ndërprerjen e seancës.

Sipas KDI-së, ndërprerja e seancës nuk përbën në vetvete shkelje të afatit kushtetues, pasi ai ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, organizata rikujton se, bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

KDI ka mirëpritur përpjekjet për dialog dhe arritjen e marrëveshjeve politike ndërmjet partive parlamentare, por ka theksuar se konsultimet politike nuk e pezullojnë detyrimin kushtetues për përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar.

“Dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të zhvillohen paralelisht”, thuhet në reagim.

Organizata thekson se bisedimet politike mund të vazhdojnë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit, por fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të nisë afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit.

KDI rikujton se afati që përfundon nesër lidhet ekskluzivisht me konstituimin e Kuvendit dhe jo me arritjen e marrëveshjes për presidentin e ri.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që, pa vonesë, ta ushtrojë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të kontribuojnë në përmbylljen e konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër