Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të japë mendim për kandidatët për Prokurorin e ri Shtetëror Publik

nga D. V.

Shkup, 17 shkurt – Këshilli i Prokurorëve Publikë sot duhet të mbajë seancën e 38-të, në rendin e ditës të së cilës është vetëm një pikë – dhënia e mendimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për propozimin për emërimin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Këshilli i PP-së në përputhje me afatet ligjore, duhet t’i japë Qeverisë një mendim pozitiv ose negativ brenda 15 ditëve, pas së cilës Qeveria i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv.

Qeveria në një seancë më 3 shkurt miratoi një përfundim në lidhje me pesë kandidatët për prokuror publik dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ia dorëzoi ato Këshillit të Prokurorëve Publikë, pasi Kuvendi paraprakisht e kishte informuar Qeverinë për përfundimin e shpalljes së prokurorit publik dhe kishte dorëzuar listën e kandidatëve.

Nga shërbimi për shtyp i Kuvendit nuk i zbuluan emrat e kandidatëve, por siç konfirmuan vetë disa nga aplikantët, ata janë ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, u.d. prokurorja publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska e cila ishte anëtare e PSP-së së Katica Janevës, gjykatësi nga Gjykata Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidia Raiçeviq.

Një nga pesë aplikantët pritet të pasojë Ljupço Kocevskin, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në vendin e tij si  u.d. prokurore publike shtetërore u emërua prokurorja Topolova-Isajlovska, e cila ishte kandidatja e vetme, por nuk mund ta mbajë këtë pozicion për më shumë se gjashtë muaj.

Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik të shtetit filloi me shpalljen e publikuar nga Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me afat për aplikime prej 15 ditësh nga data e publikimit në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vjet përvojë pune të pandërprerë si prokurorë publikë ose gjykatës në fushën e së drejtës penale.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara ridërgohen në Qeveri. Pas paraqitjes, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të dorëzojë mendime të sqaruara në afat prej 15 ditëve. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e konkursit të ri. Me 61 vota të deputetëve do të duhet të zgjidhet prokurori i ri shtetëror publik.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More