Kodi Penal me ndryshime të shpeshta, në favor të kujt?

nga I.A

Shkup, 30 janar – Në Kuvend u miratuan ndryshimet e fundit në Kodin Penal, me 76 vota “për”, u shfaq jo vetëm një reformë ligjore, por edhe një fenomen politik i ndarë thellë midis pushtetit dhe opozitës. Ndërsa shumica politike e përshkruan këtë hap si forcim të politikës penale, opozita e sheh atë si amnisti efektive për funksionarë dhe kompromis ndaj standardeve të drejtësisë. Në vazhdim po ju sjellim një analizë të ndryshimeve, historikut dhe kritikat e këtyre ndryshimeve ndër vite, shkruan Zhurnal.

Ndryshimet në Kodin Penal kanë zanafillë nga viti 2023 – 

Ndryshimet e kontestuara filluan në shtator të vitit 2023, kur Kuvendi miratoi një paketë amendamentesh që ulën sanksionet për keqpërdorim detyre dhe krime të tjera të zyrtarëve publikë, duke reduktuar ndëshkimet maksimale në pesë vjet burg për veprat që më parë dënoheshin deri mbi dhjetë vjet. Qëllimi i deklaruar ishte harmonizimi me direktivat evropiane, por ky hap u kritikua ashpër nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja për zbutje të kontrollit ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

Ky ndryshim i vitit 2023 ka pasur pasoja konkrete disa raste të mëdha të korrupsionit u shuan për shkak të kohës së kufizuar ligjore dhe reduktimit të masave penale që duhej të merreshin në kushte normale, dhe kjo natyrish që ka kontribuar në uljen e besimit publik në sistemin e drejtësisë.

Si rrjedhojë e këtyre pasojave dhe reagimeve institucionale, Gjykata Kushtetuese vendosi në shkurt 2025 që ndryshimet e vitit 2023 të jenë objekt i rivlerësimit dhe Kuvendi të përgatisë modifikime brenda gjashtë muajve, përndryshe këto do të shfuqizohen.

Çfarë po ndryshohet aktualisht?

Derisa tekstet zyrtare të ndryshimeve të janarit 2026 flasin për forcim të politikës penale, përfshirë kompetencat e prokurorisë në luftën kundër krimit të organizuar, realiteti nuk dihet akoma nëse vërtetë ky është qëllimi esencial. 

Ndërhyrjet synojnë të rikthejnë disa dënime më të rrepta për shkelje të detyrës zyrtare, por jo në nivelin para reduktimeve të 2023, dënimet mbeten më të ulëta dhe afatet e vjetërsimit më të shkurtëra sesa më parë.

Prandaj, këtu ka qenë ehde poentimi apo kritika e opozitës se modifikimet janë bërë më shumë për të zbutur efektet negative të ndryshimeve të mëparshme sesa për të rivendosur një sistem të fortë luftimi të korrupsionit. Paralelisht, vetë iniciativat flasin për harmonizim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe përmbushje të disa pikave të rekomanduara nga Komisioni Evropian.

Në këtë kuptim, ndryshimet e fundit janë më shumë ndërmjetësuese sesa reforma strukturore një “rregullim sezonal” bazuar në nevojën e menjëhershme për të shmangur shfuqizimin e plotë të ligjit të amenduar në 2023-tën. 

Ndryshimet e tanishme në favor të pushtetit apo opozitës?

Reagimet ndaj ndryshimeve janë thellësisht të ndryshme, pushteti dhe shumica parlamentare thonë se reforma rivendos thelbin e politikës penale dhe mbyll boshllëqet e krijuara nga versioni i vitit 2023. Forcon aftësitë e prokurorisë për të ndjekur korrupsionin dhe krimin e organizuar me çka në këtë vijë ërputhet me vërejtjet e Komisionit Evropian rreth drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

Nga ana tjetër, opozita thotë se Kodi Penal i sapo modifikuar është një “zgjidhje kozmetike”, e motivuar politikisht dhe jo një reformë thelbësore. Disa politikanë opozitarë e karakterizojnë atë si një formë amnistie efektive për funksionarët e shumicës, duke shmangur përgjegjësitë për shkelje të mëparshme. Ka shqetësime se afatet e vjetërsimit janë ende të shkurtëra, gjë që pengon ndjekjen e rastëve komplekse të korrupsionit.

Kujtojmë që, Kodi Penal është një instrument i drejtësisë prandaj nuk duhet lejuar të rrëshqas në instrument politik. Nuk mund të merren vendime që bien në kundërshtim me deklarimet, sepse gjatë gjithë kohës flitet për rritje të besimit në drejtësi, e në anën tjetër të merren vendime që e kontestojnë edhe këtë besim minimal. Pa u rregulluar drejtësia nuk ka përgjegjësi, pa përgjegjësi nuk ka llogaridhënie që në mënyrë zinxhirore rriten gjasat dhe rastet e keqpërdorimeve të resurseve publike./Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More