Komisioni Evropian: Ndryshimet në ligjin për Specialen bien ndesh me obligimet e Kosovës ndaj BE-së

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të vendit ndaj Bashkimit Evropian, ka deklaruar Christian Wigand, përfaqësues i Komisionit Evropian.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe rolin e tyre në raport me Kushtetutën e vendit, Wigand rikujtoi qëndrimin e SHBA-së për këtë institucion gjyqësor.

“SHBA-ja vazhdimisht e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor”, deklaroi Wigand.

Ai theksoi se ky institucion është themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014-2015, funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përfshirë në Kushtetutën e vendit.

Wigand foli edhe për ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, duke rikujtuar qëndrimin e publikuar më herët nga zëdhënësi i Komisionit Evropian.

“Ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian”, tha ai.

Gjatë konferencës, ai u pyet edhe për çështjet juridike që lidhen me Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese dhe mundësinë e krijimit të një mekanizmi të arbitrazhit në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këto çështje, Wigand nuk dha një interpretim të hollësishëm, por u shpreh i gatshëm që këto çështje të shqyrtohen më tej në bashkëpunim me ekipin e tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër