Konferenca e 30-të e Palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP30) po mbahet në Belem të Brazilit nga 10 deri më 21 nëntor dhe është konferenca e parë shumëpalëshe mbi qeverisjen e klimës dhjetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Parisit.
Konferenca u propozua nga qeveria braziliane më 26 maj 2023 dhe u miratua nga Kombet e Bashkuara. Gjatë konferencës, Brazili e zhvendosi përkohësisht kryeqytetin e tij në Belem si një gjest angazhimi. Deri në tetor të këtij viti, 125 vende kishin paraqitur ose përditësuar Kontributet e tyre të Përcaktuara në Shkallë Kombëtare, duke mbuluar gati 80 % të vëllimit të lëshimit global të gazrave serrë. Vendi organizator, Brazili, njoftoi më 13 tetor angazhimin për të arritur një shpyllëzim të paligjshëm zero deri në vitin 2030 dhe një ulje të lëshimit neto të gazrave serrë nga 59 % në 67 % në vitin 2035, në krahasim me nivelin e vitit 2005. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje vendeve të shtojnë 1 122 gigavatë kapacitet të energjisë së përtëritshme çdo vit duke filluar që nga sivjet.

Presidenti i konferencës, André Corrêa do Lago, theksoi se vendet e Veriut Global kanë humbur entuziazmin e duhur për përballimin e krizës klimatike, ndërsa vendet e Jugut Global po bëjnë përparim të vazhdueshëm dhe Kina po ofron zgjidhje që u sjellin dobi të gjitha vendeve. Sipas disa komenteve mediatike, Kina tashmë i ka përmbushur ose është gati t’i tejkalojë shumicën e angazhimeve të bëra dhjetë vjet më parë dhe po e shpëton Marrëveshjen e Parisit, teksa vendet në zhvillim tani i kanë zëvendësuar ato të zhvilluara si forca kryesore në çështjen e përballimit të ndryshimeve klimatike.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i MPJK -së Guo Jiakun-i vuri në dukje që ky vit shënon 10-vjetorin e arritjes së Marrëveshjes së Parisit dhe qeverisja globale e klimës ka hyrë në një fazë kritike. Kina merr pjesë aktive dhe udhëheq qeverisjen globale të klimës, duke mbështetur fuqimisht Brazilin si vend organizator i COP30. Ding Xuexiang, i dërguari i posaçëm i presidentit kinez Xi Jinping dhe zv.kryeministër i Kinës, mori pjesë në Samitin e Klimës në Belem dhe mbajti një fjalim, duke dërguar një sinjal të fortë për ndjekjen e drejtimit të duhur, zbatimin e veprimeve konkrete dhe thellimin e bashkëpunimit të hapur, për arritjen e suksesit të kësaj konference.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi që ndryshimi i klimës ka të bëjë me të ardhmen e përbashkët të njerëzimit. “Si Jugu, ashtu edhe Veriu Global, si vendet në zhvillim, ashtu edhe vendet e zhvilluara, ne jemi të gjithë në të njëjtën barkë, dhe bashkëpunimi e veprimet e përbashkëta janë e vetmja rruqëdalje. Kina është një ‘vepruese’ në përballimin e ndryshimeve klimatike.
