Bruksel, 30 tetor, Zhurnal.mk – Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos do të prezantojë më 4 nëntor raportin e vitit 2026 për zgjerimin e Bashkimit Evropian, njoftoi sot Parlamenti Evropian, sipas “European Western Balkans”.
Ky raport përmban vlerësimet e Komisionit Evropian për 10 vende që janë kandidate ose kandidate potenciale për anëtarësim në BE.
Në raport do të shqyrtohet përparimi i secilit vend, në zbatimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Pas publikimit të vlerësimeve, raportuesit e përhershëm të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian do të përgatisin projektrezoluta të veçanta për secilin vend.
Këto rezoluta do të përmbajnë qëndrimet dhe rekomandimet e Parlamentit Evropian, për hapat që duhet të ndërmarrë secili vend, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Më 5 nëntor, Parlamenti Evropian do të zhvillojë gjithashtu një diskutim për instrumentet e mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, Moldavisë dhe Ukrainës.
Anëtarët e Komisionit për Punët e Jashtme dhe të Komisionit për Buxhetet, do të organizojnë së bashku takime për të shqyrtuar zbatimin e instrumenteve financiare, që mbështesin reformat dhe zhvillimin ekonomik në këto vende.
Në këto takime do të shqyrtohet, instrumenti për reforma dhe rritje ekonomike për Ballkanin Perëndimor; instrumenti për reforma dhe rritje ekonomike për Moldavinë dhe instrumenti i mbështetjes për Ukrainën.
Ndërkohë, Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, do të informojë eurodeputetët për ecurinë e zbatimit të reformave në këto vende dhe për shpërndarjen e fondeve të BE-së.
